Loading...

Shqipëria mes vendeve me industri turizmi konkurruese/ Klosi: Rritje 2 fishore e numrit të turistëve që nga 2013-ta, 6.5 milionë këtë vit

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi deklaroi sot se “është në traditën e shqiptarit që ‘Shtëpia të jetë e Zotit dhe e Mikut’, përtej humanizimit industria e turizmit dëshmoi se është një nga shtyllat më të rëndësishme të ekonomisë së Shqipërisë”.

Në fjalën e tij në samitin ndërkombëtar “Turizëm, Solidaritet dhe Qëndrueshmëri”, ku marrin pjesë Shqipëria, Greqia, Italia, Sllovenia, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Serbia, Kroacia dhe Mali i Zi, Klosi theksoi se “organizojmë këtë samit për të treguar se Shqipëria ka tashmë një ofertë turistike të konsoliduar, të qëndrueshme dhe në çdo kohë. Mijëra familje gjetën dyert e hapura dhe dorën e mikpritjes së strukturave akomoduese hoteliere shqiptare. Ata u hapën dyert dhe strehuan në sofrën e madhe shqiptare, siç kanuni e përcakton mijëra qytetarë në ditën e tyre më të keqe”.

“Me një rritje vjetore dyshifrore me 3 milionë turistë që kemi gjetur në 2013, 5.9 milionë ishin në 2019, 6.5 milionë turistë të huaj e vizituan në 2019, e me sfidën e qartë për të shkuar në 10 milionë në vitet e para të dekadës së re ne jemi me koleget tanë për të bërë së bashku me kolegët tanë për të bërë politika të caktuara për të mbështetur këtë ekonomi , atë punë të madhe që që kanë bërë hotelierët dhe komuniteti i biznesit privat kudo në vendin tonë”, – tha Klosi.

Ministri Klosi u shpreh se “falë vizionit dhe mbështetjes me politikat qeverisëse që i dha Kryeministri Rama Shqipëria është tashmë e orientuar qartë dhe mirë drejt zhvillimit të turizmit me qëllim të qartë të rritjes jo vetëm të numrave hyrës në kufi por mbi të gjitha të thellimit të destinacionit të qëndrueshëm turistik europian”.

Ministri Klosi tha se “këtë e dëshmoi edhe 26 nëntori pavarësisht goditjes së natyrës, Durrësi zona më e rëndësishme turistike në vend është e paprekur dhe në vijim të një procesi të suksesshëm për vitin dhe sezonin e ardhshëm turistik për të pranuar përsëri qindra mijëra turistë miliona turistë të huaj”.

Prandaj, vijoi ai, prania e kaq shumë operatorëve turistikë influentë në turizmin shqiptar më jep bindjen se përsëri sezoni turistik i 2020 do të jetë i suksesshëm e plot ekonomi për familjet shqiptare.

“Ndaj këtë praktikë të mirë do ta ndaja jo vetëm me kolegët e rajonit, por edhe falë mbështetjes dhe kontributit të kolegëve të ardhur nga organizata botërore e turizmit dhe të kemi mundësi që këtë praktikë që realizuam në Shqipëri ta shpërndajmë dhe promovojmë në botë e të themi që turizmi nuk është vetëm një industri që shet vetëm kënaqësi , që ofron vetëm paketa turistike, por turizmi është një shtyllë e rëndësishme ekonomike, e cila mund të japë ndihmesa të rëndësishme edhe në kuadër të trajtimit të krizave humanitare”-, theksoi Klosi.

Ministri Klosi u shpreh se “përtej solidaritetit, përtej bashkëpunimit ne do të duhet shumë që politikat turistike dhe dimensionet e reja të promovimit të politikave turistike në rajon të kemi shumë më tepër të përbashkëta. Më shumë se kudo tjetër ky bashkëpunim ka vlerë në rajonin tonë”.

“Kemi kaluar të njëjtat linja zhvillimi politike e shoqërore në këtë pjesë të botës, ku kemi fatin të jetojmë, kemi historinë, kulturën natyrën, kulinarinë dhe kemi mundësinë e pakufizuar për të qenë bashkë duke rritur komunikimin dhe shkëmbimin turistik duke bashkuar ofertat turistike për tregjet e larta, kemi destinacione turistikë të konsoliduar”, – theksoi Klosi.

Klosi tha se “e kemi shumë të nevojshme të kemi një ofertë të përbashkët të rajonit më të klikuar mbase në industrinë turistike të rajonit në botë, të rajonit që e ka suksesin të garantuar në botë”.

“Ky samit unikal mbi një ngjarje unikale, u realizua në pak kohë. Industria iu përgjigj duke qenë prezente e duke i dhënë mbështetje të dëmtuarve nga tërmeti në Durrës”, tha Klosi./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com