Loading...

Rritje e forcës goditëse ndaj krimit në 2019, u sekuestruan mbi 60 milionë euro asete kriminale

“Vitin e kaluar u shpërbënë më shumë se dyfishi i grupeve kriminale krahasuar me 2018, u shumëfishuan asetet e sekuestruara dhe kishim mbi 60 milionë euro vetëm në 2019”, – deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

I pranishëm në inaugurimin e ambienteve të reja të repartit RENEA, Rama tha se u rrit ndjeshëm forca goditëse ndaj të gjitha veprave të rënda apo më pak të rënda penale.

“Lamë pas një vit domethënës për Policinë e Shtetit, tejet i komplikuar dhe në njëfarë mënyre i pakrahasueshëm me asnjë vit tjetër, gjatë së cilit të gjithë treguesit kryesorë të kriminalitetit dhe veprave të tjera penale njohën rënie. Është për të ardhur keq që në atmosferën e rënduar artificialisht nga disa drejtime dhe në kushtet e një xhungle informacioni krijohet hera-herës përshtypja tejet e gabuar mbi situatën e kriminalitetit në Shqipëri”, – tha Rama.

Ndërkohë, sipas tij, “faktet flasin më së miri për rënien e vazhdueshme të treguesve kryesorë të kriminalitetit”.

“Nga ana tjetër, faktet flasin për një rritje domethënëse të zbulueshmërisë së krimeve nga Policia e Shtetit. Jemi të vetëdijshëm se lufta me krimin nuk mbaron asnjëherë dhe matet thjesht dhe vetëm me raportin e forcës përmes fakteve dhe shifrave mes shtetit dhe krimit. Ky raport në gjithë këto vite ka ardhur duke rritur forcën e shtetit dhe duke ulur forcën e krimit”, – tha Rama./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com