Revolucioni dixhital 2020 ka nisur transformimin rrënjësor të marrëdhënies së qytetarit me zyrat e Shërbimit Kombëtar të Punësimit duke i shkurtuar 2 mijë orë pune, të cilat i shpenzonte në radhë pranë sporteleve.
Çdo punëmarrës dhe punëdhënës nga 1 janari i këtij viti po merr online 24 shërbime që lidhen me punësimin.
Drejtore e Shërbimeve të Punësimit dhe Migracionit pranë Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Iliada Kuqi, në një intervistë për ATSH-në bën të ditur se në kuadër të reformës për kalimin e shërbimeve dhe ofrimin e tyre online janë regjistruar 24 shërbime në “e-Albania.al”.
“Gamën më të madhe të shërbimeve e zënë lejet e punës. Tashmë çdo punëkërkues e punëmarrës i interesuar për t’u pajisur me një leje pune apo certifikatë regjistrimi për të huajt që janë të punësuar në Shqipëri, mund të aplikojnë online për marrjen e tyre”, deklaroi Kuqi.
Lidhur me parashikimet se sa kohë do t’i kursehet qytetarëve për të marrë këto shërbime online, Kuqi theksoi se, duke u bazuar mbi shifrat e një viti më parë, ku u morën përafërsisht 3500 leje pune dhe certifikata regjistrimi, qytetarit dhe punëdhënësve do t’i kursehen përafërsisht 120 mijë minuta.
Kuqi bën të ditur se në fazën e parë, zyrat e punës do të ofrojnë edhe shërbim në sportele duke asistuar këdo që do të ketë nevojë për të marrë shërbimin online.
“Pranë çdo zyre pune është dhënë udhëzimi që të jenë funksionale edhe sportelet për t’u ardhur në ndihmë aplikantëve për të proceduar dhe për të marrë aplikimet”, theksoi Kuqi.
Deri në fund të vitit, qytetarët shqiptarë do të kenë mundësinë e aplikimeve më të shpejta e më të thjeshta për dokumente, jo vetëm në krejt rajonin, po edhe në krahasim me plot vende të tjera të Europës.
/atsh