Loading...

Të bllokuar nga moti i keq në malin e Gramozit, 4 alpinistë shpëtohen nga policia dhe banorët e zonës

Katër alpinistë të bllokuar për shkak të kushteve atmosferike në malin e Gramozit u shpëtuan pas disa orësh nga policia dhe banorët e zonës në Kolonjë.

Në sallën operative të komisariatit të Policisë Kolonjë, është marrë një telefonatë sipas të cilës 4 alpinistë që kishin lënë mjetin e tyre tip “Ford”, në fshatin Starje dhe ishin nisur për të ngjitur malin e Gramozit, mund të kishin mbetur të bllokuar në rrugë për shkak të kushteve të vështira atmosferike.

Menjëherë pas marrjes së këtij njoftimi, në drejtim të zonës, u nisën shërbime të komisariatit të Policisë Kolonjë dhe Stacionit të Policisë Kufitare Shtikë, të Emergjencave Civile, të ndihmuar edhe nga banorë të zonës.

Pas disa orë kërkimesh, u bë i mundur lokalizimi dhe gjetja në gjendje të mirë shëndetësore e 4 alpinistëve, të cilët ishin ngjitur në majën e quajtur “Çuka e Peçit” në lartësinë 2523 m, të malit të Gramozit dhe më pas për shkak të kushteve të vështira atmosferike, kishin hasur vështirësi gjatë kthimit.

Alpinistët (njëra prej tyre vajzë) kanë falënderuar shërbimet e Policisë dhe banorët, që iu erdhën në ndihmë dhe iu shpëtuan jetën. Policia më pas ka bërë shoqërimin e tyre, deri në vendin ku u akomoduan në qytetin e Ersekës./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com