“Shqipëria vijon të ketë një trend rritës në eksportin e prodhimeve bujqësore”, tha sot ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi ndërsa ka vizituar një serrë në fshatin Petovë të Fierit.
Çuçi tha se “në fshatin Petovë të Fierit ka një histori suksesi. Serra e Xhevahir Likës funksionon që prej vitit të largët 1993. Një biznes familjar që ka ardhur duke u rritur vit pas viti. Aktualisht në një sipërfaqe prej rreth 1 hektar janë të kultivuara disa lloje domatesh”.
“Prodhimi shitet në tregun vendas dhe sidomos për eksportin, ku kërkesa dhe çmimi për momentin janë të favorshme për fermerët. Falë shtimit të sipërfaqeve me serra dhe fuqizimit të pikave të grumbullimit, Shqipëria vijon të ketë një trend rritës në eksportin e prodhimeve bujqësore”, tha ai.
Po ashtu Çuçi shtoi se “20% më të larta kanë qenë eksportet përgjatë 11 muajve të vitit 2019 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. Prodhimet tona janë sot më konkurruese, sepse janë gjithashtu cilësore”./atsh