Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka theksuar se prioriteti numër 1 është realizimi i Reformës Zgjedhore.
Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Basha nënvizoi se nuk duhet humbur shansi me Europën. “Së pari, nuk duhet humbur asnjë moment për të përmbushur kushtet e Bundestagut, që janë e vetmja rrugë për të hapur negociatat, për ta bërë Shqipërinë anëtare të BE.
Është e vetmja rrugë për të thithur fonde nga BE dhe për t’i mirëadminsitruar ato në drejtim të nevojave akute, siç janë ato të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit, në drejtim të bujqësisë në drejtim të biznesit, në drejtim të shëndetësisë, të arsimit dhe kudo tjetër. Gjate ditës së djeshme, siç e dini, kam patur takime në Itali dhe më bëri përshtypje një fakt. Vetëm Rumania, si vend anëtar, përfiton fonde të drejtpërdrejta nga BE, 3 herë sa buxheti i Shqipërisë”-, tha Basha.
“Dje, drejtuesit më të lartë europian, Kryetarja e Komisionit Europian, Kryeministri kroat, në emër të Presidencës së BE-së, kanë shprehur edhe një herë vullnetin e tyre për të hapur negociatat. Në komunikimin tim me ta, të dy personalitete të PPE, ma kanë konfirmuar këtë, në mënyrë, të vazhdueshme dhe jam i lumtur që dje e kanë konfirmuar publikisht, ky është qëndrimi PPE, i partisë tonë i PD”-, tha Basha.
“Ne nuk duhet ta humbim këtë shans të madh për t’i ardhur në ndihmë ekonomisë së shkatërruar shqiptare, shëndetësisë, arsimit, bujqësisë dhe çdo sektori tjetër. Ky është një vit shumë i rëndësishëm, kemi 2 vende mike që marrin presidencën, Kroacia këto 6 muaj dhe Gjermania 6 mujorin e dytë. Prandaj, prioriteti numër 1 është miratimi i menjëhershëm i reformës zgjedhore, që i hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në një ditë me zgjedhjet vendore, me standard dhe garanci për votën e lirë, për t’ dhënë fund fenomenit të shitblerjes së votës, përdorimit të krimit dhe parave të pista të krimit dhe për të ndëshkuar krimin elektoral, që janë tre kushte të tjera të Bundestagut gjerman për të hapur negociatat me Shqipërinë”-, theksoi Basha.
Duke folur për sistemin zgjedhor, Basha tha se “nuk është problem sistemi zgjedhor”.
“Ne kemi paraqitur propozimet tona prej shtatorit. Që nga shtatori opozita i prin këtij procesi dhe ndërkohë ka kaluar një afat, që është afati i dhjetorit. Jemi në pritje të qëndrimit të PS dhe dhe të Edi Ramës. Pro apo kundër. Por dua të them se kjo pritje nuk mund të vazhdojë pa fund.
Dhe se ne do të marrim absolutisht çdo vendim të domosdoshëm për të mos e lënë Shqipërinë pa Reformë Zgjedhore dhe pa zgjedhje të lira e të ndershme. Ky nuk mund të jetë një proces tavolinash të mbyllura e dhomash të errëta, duhet të jetë një proces gjithëpërfshirës, i aktorëve dhe faktorëve politikë.
Propozimet tona janë të qarta, janë të publikuara. Asgjë nuk ka ndryshuar. Asnjë presje, asnjë pikë, asnjë qëndrim nuk ka ndryshuar. Natyrisht, që këtu prevalon vullneti politik. Ai që vendos është vullneti politik”-, tha Basha.
Basha tha se “asnjë sistem nuk ka për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, po nuk e ndamë politikën nga krimi dhe ky mbetet prioriteti absolut i PD dhe i opozitës”-, theksoi Basha. /atsh