Hapet gara për drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Kreu i SPAK, Arben Kraja ka theksuar se gara është hapur dhe për strukturën tjetër të re të drejtësisë shqiptare, BKH.
Kraja ka bërë me dije se të gjithë të gjithë të interesuarit mund të aplikojnë për të drejtuar grupin prej 60 hetuesish. Ndërkohë ai ka bërë apel se BKH-së i duhet një drejtues i aftë për të bashkëpunuar ngushtë edhe me SPAK dhe kandidati fitues do të trajnohet në SHBA nga FBI.
“Kam kënaqësinë t’ju lajmëroj për shpalljen e njoftimit për pozicionin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ky njoftim shënon hapin e parë të projektit për krijimin e një skuadre të madhe hetuesish të policisë gjyqësore që do të punojnë ngushtësisht me Prokurorët e Posaçëm”, shprehet Kraja.
“Në duam të zgjedhim një person që ka integritet, përvojë profesionale dhe një sërë aftësish si lider, për të drejtuar dhe frymëzuar një grup prej rreth 60 hetuesish. Unë do të doja që t’iu bëja thirrje të gjithë personave të interesuar, femra dhe meshkuj, që plotësojnë kriteret e përcaktuara në Ligjin për SPAK-un, që të aplikojnë për këtë pozicion pune. Në mënyrë që SPAK-u të jetë i suksesshëm, ne kemi nevojë për drejtorin më të aftë dhe më të motivuar në drejtimin e BKH-së”, vijon kreu i SPAK.
“Të gjithë aplikantët do të ftohen të marrin pjesë në një proces rigoroz dhe sfidues përzgjedhjeje, që përfshin aplikimin elektronik, testimin e aftësive fizike, provimin me shkrim, intervistimin e strukturuar dhe verifikimin e thelluar të pasurisë dhe integritetit. Procesi do të jetë tërësisht transparent dhe do të monitorohet nga Komisioni Ndërkombëtar. Kandidati fitues do t’i nënshtrohet një programi të gjatë trajnimi që do të sigurohet nga Qeveria e Shteve të Bashkuara, me trajnerë të specializuar nga Byroja Federale e Hetimit (FBI)”, njofton Kraja.
Sistemi i përzgjedhjes së drejtorit të BKH-së është një proces sfidues mendor dhe fizik, i hartuar për të përzgjedhur kandidatin më të aftë. Personi që do të përzgjidhet nga ky proces, do të jetë pjesë e një grupi elitë që mbështet drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme dhe Prokurorët e Posaçëm, të cilët do të hetojnë veprat penale nën juridiksionin penal të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, thuhet në njoftimin zyrtar të hapjes së garës.
Aplikimet duhet të dërgohen jo më vonë se të enjten, 30.01.2020. /atsh