Loading...

Yuri Kim zyrtarisht ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri

Yuri Kim është zyrtarisht ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.

Yuri Kim bëri sot betimin si ambasadore e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.

Zonja Kim, u emërua nga Presidenti Donald Trump në qershor të këtij viti. Ajo ka thënë se do të nxisë udhëheqësit e Shqipërisë për të zgjidhur ngërçin aktual politik në mënyrë që të forcohet perspektiva e hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE.

Zonja Kim ka thënë gjithashtu se do të inkurajojë Shqipërinë të zbatojë plotësisht reformat në drejtësi. Ajo është shprehur se sheh si përparësi edhe ndihmën teknike për Shqipërinë në hetimin, ndjekjen dhe ndëshkimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar ndërnacional.

Zonja Kim pritet gjithashtu të inkurajojë Shqipërinë për të arritur nivelin 2 përqind në shpenzimet e mbrojtjes deri në vitin 2024.

Floreta Faber, Ambasadorja e Shqipërisë në SHBA ka njoftuar se tashmë Yuri Kim ka kryer dhe betimin dhe është zyrtarisht Ambasadore e SHBA-ve në Tiranë.

“Betohet Ambasadorja Kim! Ajo është tashmë zyrtarisht Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri! Urimet më të mira dhe suksese në misionin tuaj, me bindjen se do kemi një bashkëpunim të frytshëm!”-, shprehet Faber.

Më 20-dhjetor 2019, Yuri Kim, ka marrë edhe aprovimin e fundit për të qenë ambasadore e SHBA në Shqipëri. Senati amerikan, në takimin e fundit për vitin 2019, ka konfirmuar diplomaten Kim si ambasadore të Shteteve të Bashkuara në Republikën e Shqipërisë.

Ambasadorja Yuri Kim, në një seancë para Komisionit të Jashtëm të Senatit për konfirmimin e saj në fund të tetorit, tha se do të nxiste udhëheqësit e vendit për bashkëpunim në mënyrë që të forcohet perspektiva e hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE.

Yuri Kim është gruaja e parë koreano-amerikane që përfaqëson SHBA në postin e një ambasadori dhe personi i parë nga territori amerikan i Guamit që shërben në një post të tillë. Ajo ka lindur në Kore dhe është rritur në ishullin Guam, një territor i SHBA në Oqeanin Paqësor.

Ajo ka shërbyer në Departamentin e Shtetit si Drejtore e Zyrës së Çështjeve të Evropës Jugore, ka qenë drejtoreshë e Qendrës së Departamentit të Shtetit për Studimin e Diplomacisë, Shefe e Stafit për Zëvendëssekretarin e Shtetit dhe Drejtore e Zyrës për Sigurinë Evropiane dhe Çështjeve Politiko-Ushtarake. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com