Drejtori i Departamentit të Kufirit dhe Migracionit, Eduart Merkaj doli sot përpara Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit ku u njoh me rezultatet e hetimit të bërë për të që prej muajit qershor 2019 bazuar në 3 komponentët e vlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale.
Trupa e vlerësimit e përbërë nga Sonila Kadarej, Luljeta Qoku dhe Ledian Rusta konstatuan dhe deklaruan se nga hetimi administrativ i drejtorit të departamentit të Kufirit dhe Migracionit, Eduart Merkaj rezulton pa problem në të tre komponentët e vlerësimit.
Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit do të mblidhet sërish të hënën më 13 janar, për të vendosur për rikonfirmimin ose jo në detyrë për drejtorin e Kufirit dhe Migracionit.
Merkaj është pjesë e strukturave të Policisë së Shtetit që prej vitit 2007 teksa ka mbajtur disa poste të rëndësishme, ndërsa prej janarit të vitit 2019 drejton Departamentin e Kufirit dhe Migracionit./atsh