Loading...

Lejet e ndërtimit/ Aplikimi për vlerësimin e ndikimit në mjedis kalon online, procedurat dhe tarifat

Aplikimi për vlerësimin e ndikimit në mjedis për lejet e ndërtimit tashmë do të kryhet online nëpërmjet portalit e-Albania.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit informoi sot se janë pesë lloje të lejeve për vlerësimin e ndikimit në mjedis që do të merren online: vnm e thelluar – njoftim; vnm e thelluar për deklaratë mjedisore; vnm paraprake; transferimi i vendimit për vnm paraprake pranë AKM si dhe transferimi i deklaratës mjedisore pranë MTM-së.

Ministria për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve bëri të ditur edhe hapat e procedurës së aplikimit online në e-Albania;
– Identifikohuni si qytetar ose biznes në portalin e-Albania;
– Zgjidhni shërbimin “Aplikim për vlerësimin e ndikimit në mjedis “;
– Klikoni butonin “Përdor” dhe plotësoni formularin elektronik me të dhënat e nevojshme;
– Klikoni butonin “Dërgo” në fund të formularit;
– Specialistët e autorizuar bëjnë shqyrtimin e kërkesës;
– Aplikanti lajmërohet për refuzimin apo miratimin e aplikimit. Në rastin e miratimit, aplikanti pajiset me Vendimin/Deklaratën përkatëse.

Sa i përket vlefshmërisë, MTM bën të ditur se “nëse veprimtaria nuk fillon zbatimin në terren brenda 2 vjetëve nga data e miratimit të vendimit për vnm në, atëherë këto dokumente konsiderohen të pavlefshme dhe procesi i VNM-së fillon nga e para”.

Po ashtu, Ministria publikoi edhe kostot që duhet të paguajë qytetari për marrjen e këtyre shërbimeve.

“Për procedurën e vnm paraprake: 30 000 lekë; për procedurën e thelluar të vnm: 50 000 lekë. njoftimi për vnm të thelluar, transferimi i vendimit për vnm paraprake, transferimi i deklaratës mjedisore, nuk kanë tarifë aplikimi”, thuhet në njoftimin e MTM./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com