Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi mbrëmjen e sotme para takimit me aleatët se, cilido sistem zgjedhor të miratohet do të dështojë nëse nuk garantohet ndarja e politikës nga krimi.
Fajin nuk e ka sistemi, tha Basha, dhe kjo alibi është e dështuar.
“Kam qenë dhe jam i hapur dhe e kemi shprehur për të diskutuar me të gjithë qytetarët se cili sistem zgjedhor do të aplikohet. Nisur nga praktikat e 7 viteve të fundit mund të themi se cilido sistem do të dështojë nëse nuk garantojmë ndarjen e zgjedhjeve nga krimi. Alibia se fajin e ka sistemi mund të kthehet në një shtojcë të propagandës së Ramës”, tha Basha.
“Axhenda ime është ekonomia, dinjiteti dhe mirëqenia e çdo shqiptari. Në funksion të kësaj jemi gati të hedhim çdo hap”, u shpreh Basha.
Ai shtoi se, “unë zgjedh të besoj Bundestagun dhe jo Ramën. Vendi është në një krizë të thellë politike, këtë shqiptarët e ndiejnë në mungesën e theksuar të shtetit. Sot janë braktisur mijëra familje”.
Për situatën e krijuar së fundmi lidhur me përplasjen Iran-SHBA, Basha tha se “jemi përkrah SHBA dhe vlerave të lirisë dhe demokracisë”./atsh