Loading...

Përkujtohet 100-vjetori i lindjes së aktorit të madh, Sandër Prosi

Më 6 janar të vitit 1920 lindi në Shkodër, Sandër Prosi, i cili do të bëhej më vonë një prej aktorëve ikonë të filmit dhe teatrit shqiptar, personazhet e të cilit kanë mbetur në kujtesën e brezave dhe në arkivën e artë të kinematografisë.

Teatri Kombëtar në një kujtesë me rastin e 100-vjetorit të lindjes së artistit të madh, sjell edhe datat kryesore që shënuan jetën e tij.

Pasi mbaroi shkollën fillore, vazhdoi gjimnazin e Tiranës. Merr pjesë në dramën “Vilhelm Teli”. Shkon për studime në Austri për dentist, të cilat nuk i mbaroi. Më 1947 merr pjesë në konkursin pranë Teatrit Popullor dhe e fiton atë. Që këtu fillon dhe veprimtaria e tij e gjerë dhe e larmishme artistike.

Sandër Prosi bën pjesë ndër ata aktorë, ndihmesa e të cilëve është e lidhur me krijimin e artit tonë profesionist të skenës dhe ekranit, si dhe me arritjet e tyre më të shënuara. Ai krijoi mbi 85 role në 75 vepra të autorëve tanë si: A. Z. Çajupi, K. Jakova, B. Levonja, L. Papa, I. Kadare, T. Laço, R. Pulaha, D. Agolli, Dh. Xhuvani dhe të autorëve të huaj si: Shekspiri, Shileri, Çehovi, Karaxhale, Gorki, Brehti etj.

Interpretoi në rreth 30 filma, ku krijoi role të tilla që kanë hyrë në fondin e qëndrueshëm të teatrit dhe kinematografisë tonë. Për ndihmesën e tij të madhe në zhvillimin e artit tonë skenik e kinematografik ai është nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit”, me Çmime të Republikës dhe me urdhra e medalje. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com