Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në mbrëmje se “procesi i formimit të SPAK është kaq i rëndësishëm dhe strategjik për partnerët tanë amerikanë, të cilët janë në alert maksimal duke monitoruar gjithë procesin e Vetingut dhe krijimit të SPAK”.
I ftuar në një studio televizive, Rama tha se “Reforma në Drejtësi dhe frika nga drejtësia shpjegon shumë gjëra”.
Por, shtoi ai, “unë përsëris se problemi me opozitën është mungesë idesh, lidershipi, energjish pozitive sepse realisht më keq se kaq unë nuk e di se kur ka qenë ndonjëherë opozita në Shqipëri edhe pse ka pasur momente shumë më të këqia në aspektin e kushteve për të bërë opozitë”.
“Reforma në drejtësi shpjegon shumëçka dhe është nj shtysë shumë e fortë për ne, për shoqërinë apo ata që janë kundër për të reaguar në forma nga më të hatashmet. Gjithë çështja është e thjesht: nëse ne do të kishim, jo kapur, por pasur tendencë kapjeje të sistemit të ri të drejtësisë, nuk do të ishte e mundur që ata që e kanë sponsorizuar edhe financiarisht këtë reformë, SHBA dhe BE, të mos kishin ngritur zërin ndaj kësaj tendence. Ose ne, unë, i kemi kapur të gjitha edhe drejtësinë, edhe SHBA dhe Europën, ose këtu ka diçka që nuk shkon”, tha Rama.
Rama tha se Reforma në Drejtësi ka prodhuar kapacitete të paimagjinueshme për pastrimin e sistemit të drejtësisë.
“Patjetër që ky sistem do kërkoj kohën e vetë, por është e sigurt që është një kthesë historike në aspektin e pastrimit. Pjesa tjetër se sa dhe si do jetë i pavarur, i paanshëm dhe do të ketë kaapacitete goditëse pa parë majtas e djathtas, kjo është për t’u provuar”, tha Rama. /atsh