“Ne jemi të gatshëm të ulemi dhe të diskutojmë pa kushte me opozitën për gjithçka, edhe pse nuk jemi të detyruar të biem dakord me të gjitha”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.
I ftuar në një studio televizive, Rama tha se “edhe ne kemi bërë bojkot më parë, por kjo nuk na ka rritur mbështetjen e njerëzve”.
“Nuk besoj se politika e kërcitjes së dhëmbëve prodhon rezultate për ata që e gjenerojnë atë politikë, përveç kësaj i dëmton ata. Nëse nuk do të kishim humbur kohë me bojkote, do të kishim bërë më shumë, por unë them se këtu ka një problem të madh kulturor dhe të lidershipit të PD-së, është një dritëshkurtësi, iluzion”, tha Rama.
I pyetur mbi qëndrimin e partnerëve ndërkombëtarë në zhvillimet politike gjatë vitit 2019, Rama tha se “as unë, as ne në grupin e ngushtë drejtues të PS-së dhe asnjë nga partnerët ndërkombëtarë nuk e ka eksploruar opcionin e shtyrjes së zgjedhjeve”.
“Partnerët kanë qenë të palëkundur. Rrallë e mbaj mend të mos kenë pasur as tundimin, ‘hajde ta diskutojmë edhe këtë variant’. Se në këndvështrimin e tyre dhe tonin ishte e njëjta qasje: nëse hapet një herë kjo rrugë, kjo rrugë nuk mbyllet kurrë. Ndërkombëtarët kishin leximin që kjo është një çmenduri, nuk mund të tolerohet se përbën një precedent që shthur gjithë normalitetin demokratik”, tha Rama.
Ai theksoi se “influenca e opinionit të miqve ndërkombëtarë të Shqipërisë, është goxha e madhe dhe kapaciteti i tyre për të ngulmuar dhe vendosur nën presion klasën politike në Shqipëri nuk është i vogël”.
“Nuk e di çfarë kanë komunikuar me palën tjetër, di që ka pasur komunikime dhe që kanë qenë më të ashpra se sa prononcimet publike, se për ta ka qenë jashtë mundësisë për ta kuptuar se çfarë do të thotë kjo, si mundet që një pakicë t’i imponohet një shumice duke kërkuar ndryshim të raporteve në tavolinë”, tha Rama./atsh