Përmes një sulmi ajror pranë aeroportit ndërkombëtar të Bagdadit është vrarë komandanti i Forcave Kuds të Gardës Revolucionare të Iranit dhe një anëtar i lartë i grupit Hashd al-Shaabi, i mbështetur nga Irani.
”Qasem Soleimani, komandant i forcave kuds të Gardës Revolucionare të Iranit, dhe Abu Mahdi al-Muhandis, nënkryetar i grupit Hashd al-Shaabi, apo Njësitë Popullore të Mobilizimit (NJPM), u vranë në një sulm me dron”, thanë mediet lokale.
Ndërkohë, SHBA konfirmoi se në një sulm ajror pranë aeroportit në Bagdad është vrarë komandanti i Forcave Kuds të Gardës Revolucionare të Iranit, Qasem Soleimani.
“Me urdhër të presidentit Trump, ushtria amerikane ka ndërmarrë një veprim vendimtar mbrojtës për të mbrojtur personelin e SHBA-së jashtë vendit duke vrarë Soleimanin”, tha Pentagoni në një deklaratë.
Soleimani prej disa kohësh ishte komandant i Forcave Kuds, i cili ishte përfshirë në listën e grupeve terroriste nga SHBA-ja që nga viti 2007.
Grupi vlerësohet të ketë 20 000 anëtarë.
Menjëherë pas raportimit për vrasjen e udhëheqësit ushtarak, Trump postoi flamurin e SHBA-së në Twitter pa asnjë koment.
Pentagoni akuzoi Soleimanin se po planifikonte të kryente sulme ndaj diplomatëve dhe stafit të SHBA-së në Irak dhe rajon, duke thënë se udhëheqësi i vrarë ishte përgjegjës për vdekjen e qindra anëtarëve të stafit amerikan dhe të koalicionit.
“Ky sulm kishte për qëllim pengimin e planifikimit të sulmeve të ardhshme të Iranit. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të mbrojtur njerëzit tanë dhe interesat tona kudo që janë në gjithë botën”, thuhet në deklaratë./atsh