Këshilli Kombëtar i Restaurimeve ka miratuar projektin e restaurimit të “Urës së Frëngut”, në Vlorë.
Projekti i hartuar nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore parashikon ndërhyrje konservuese dhe restauruese në elementët konstruktivë dhe estetikë të urës.
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore mirëpret çdo bashkëpunim dhe mbështetje që kontribuon në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore.
Gjatë këtij viti specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës kanë kryer një inspektim në Urën e Frëngut, në fshatin Gjorm, Vlorë.
Gjatë inspektimit u bë kontrolli teknik i monumentit dhe evidentimi i problematikave. Nga inspektimi u konstatua se gjendja strukturore e urës ishte përgjithësisht e mirë, me përjashtim të dëmtimeve sipërfaqësore të kalldrëmit dhe dëmtime të fugave në qemerë.
Ura e Frëngut ndodhet afër fshatit Gjormë dhe ka shërbyer për qarkullimin dhe komunikimin e banorëve të fshatrave, që ndodhen në bregun e majtë të lumit Shushicë.
Ajo është urë e tipit me dopjo qemer me harkun në formë lundre dhe me dy dritare shkarkuese. Arkitektura e urës i është përshtatur terrenit shkëmbor ku është ndërtuar, duke u harmonizuar me peizazhin natyror.
Muratura e saj është e ndërtuar me gur kave të lidhur me llaç gëlqere. Në vitin 2015 kjo urë i është nënshtruar një ndërhyrjeje restauruese nga DRKK Vlorë./atsh