Zjarrfikësi nga Vlora, Luan Kapaj, i cili nuk reshti një sekondë, duke u përpjekur të nxjerrë gjallë nga rrënojat e tërmetit të 26 nëntorit, dy persona nën gërmadha, u nderua sot nga Kryeministri Edi Rama me ‘Medaljen e Artë’, për vlerësim profesional.
Në ceremoninë e organizuar në Kryeministri, në fjalën e tij Kryeministri Rama theksoi se “dëshiroj që ti jap Luanit “Medaljen e Artë” për vlerësim profesional, një medalje që është krijuar prej disa kohësh dhe është dhënë për herë të parë vetëm për trupat e kërkim-shpëtimit që erdhën dhe na ndihmuan të shpëtojmë jetë shqiptare, por është e para që i jepet një individi”.
“Besoj që duke ia dhënë këtë medalje Luanit, për aktin e tij jo vetëm i japim medaljes një vlerë shumë të madhe, por e vendosim stekën shumë lart për individë të tjerë që meritojnë të vlerësohen”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama theksoi sot se “kjo është një ceremoni e vogël në përmasën e saj , por është një ceremoni shumë e veçantë në përmbajtjen e saj”.
“Ndihem vërtet i nderuar që sot ti kushtojmë këtë vëmendje një njeriu të zakonshëm , i cili u bë simboli i reagimit njerëzor dhe profesional në kushtet e rënda të atyre ditëve dhe netëve kur plot jetë njerëzore ishin në fije të perit. Një ndër presidentët e SHBA-së thotë se heronjtë si njerëz nuk janë më guximtarë se të tjerët, por tregohen më të guximshëm se të tjerët disa minuta më shumë dhe më gjatë. Edhe pse heroizmi i Luanit nuk ishte disa minuta, por ishte shumë e shumë orë pa pushim , në kushte ekstreme stresi dhe me dridhjet e tokës që vazhdonin çka e bën atë një hero të një lloji shumë të veçantë”, – nënvizoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se ” më vjen mirë që sot këtu kanë ardhur për ta respektuar Luanin edhe disa prej atyre që kanë një jetë të dytë nga Luani. Unë pata rastin të dëgjoj edhe kolegë të huaj të Luanit të cilët u shprehën me një admirim të jashtëzakonshëm për aktet e tij, për përkushtimin e tij, madje njeri prej tyre më tha akoma nuk a rrij ta kuptoj dot se si mund të ishte një njeri aq i gatshëm të sakrifikonte jetën e tij në kushte që teknikisht dukeshin të pamundura edhe pse kam parë në jetën time episode të jashtëzakonshme që prapë se prapë nuk janë për aq sa kujtoj në të njëjtin nivel guximi dhe sakrifice. Dhe unë i thashë “Nuk ke për ta kuptuar kurrë nëse nuk kupton se çfarë do të thotë të jesh vlonjat””.
Kryeministri Rama u shpreh se “më vjen mirë që e shoh përditë që ajo që njerëzit tanë bënë në momentet e një krize që ishte shumë më e madhe sesa ne, se sa forca jonë, sesa aftësia jonë për të imagjinuar kapërcimin e saj, ka frymëzuar në tërësi të gjithë ata që pa qenë të thirrur për të bërë heroizma, po përkushtohen çdo ditë për rindërtimin”.
Sipas tij, procesi i rindërtimit po ecën jashtëzakonisht mirë nga pikëpamja e respektimit të afateve shumë të shkurtra dhe përpjekjeve për të qenë në lartësinë e ambicies sonë për rindërtimin.
“Ndodh rëndom që kur bëhet mirë një punë , kur dikush bën mirë një punë sidomos kur punon për shtetin cinikët thonë detyrën po bëjnë. Në fakt detyrën janë të thirrur të bëjnë të gjithë ata që ti shërbejnë shtetit dhe dallimin e bën pikërisht përkushtimi dhe cilësia në kryerjen e detyrës.
Sigurisht detyrën bëjmë të gjithë, por në varësi si e bëjmë detyrën, sa mirë e bëjmë detyrën, varet edhe impakti që kryerja e detyrës ka mbi njerëzit dhe shoqërinë.
“Nuk dua të zgjatem më shumë, por dua të kujtoj këtu fjalët e Presidentit De Gol, i cili duke folur për katastrofat ka thënë që ‘Nuk është e tolerueshme dhe nuk është as e mundur që nga vdekjet, sakrificat dhe shkatërrimi që prodhojnë kaq shumë heroizëm të mos zhvillohet një gjendje më e mirë njerëzore’. Kam besim së nga gjithçka pamë, kaluam, promovuam, mësuam dhe gjithçka kemi akumuluar në kujtesën tonë padiskutim kemi mundësinë historike të zhvillojmë një gjendje më të mirë njerëzore këtu në vendin”, tha Rama.
“Me shumë respekt dëshiroj të të dorëzoj këtë medalje e të them që jam shumë i privilegjuar në këtë moment, jam shumë i prekur që jam pranë teje, sinqerisht, se në kushtet e jetës së përditshme, njerëzit si ty, që janë jo një e dy, por janë dhjetëra mijëra në Shqipëri janë thjesht në jetën e tyre dhe ne rrallë ose as fare i shohim në vlerën dhe rëndësinë që kanë për punën që bëjnë. Të jam shumë mirënjohës e të falënderoj edhe për praninë tënde këtu”.
Zjarrfikësi Luan Kapaj, pasi mori medaljen tha se “më shumë sesa krenarë kjo medalje më bën krenarë për dy qytetarët e mi që sot janë bashkë me ne marrin ajrin e kësaj toke dhe shikojnë dritën e këtij dielli. Unë do ti shërbej popullit tim deri në momentin e fundit të jetës time”.
Një nga të mbijetuarit nga tërmeti , që u shpëtua nga Luani, tha se “Luani më shpëtoi jetën kishte zemër të madhe, siç ka emrin është edhe vetë”./atsh






