Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “kemi 56 gra që vuajnë dënimet e tyre në sistemin penitenciar shqiptar dhe ne dëshironim që të gjitha të përfitonin nga amnistia, në një mënyrë ose një mënyrë tjetër. Duke i parë të gjitha rastet një nga një duke parë edhe të gjithë kornizën e amnistisë më vjen mirë që gjysma do lirohen menjëherë dhe gjysma tjetër do përfitojë ulje të 1/3 të dënimit”.
Në një takim me gratë e burgosura, ku ishte e pranishme edhe ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, Kryeministri Rama tha se më vjen shumë mirë që ne bëjmë këtë amnisti për 56 gratë që vuajnë dënimin në sistemin penitenciar shqiptar, ku lirohen menjëherë 28 prej tyre dhe për 28 të tjera, ulet në 1/3 dënimi”.
“Mbase kjo nuk është shumë korrekte për t’u thënë publikisht por unë kam bërë shumë debat me gjithë ekipin e amnistisë, sepse do kisha dashur të kishte edhe me shumë ulje për disa prej jush që kanë kryer krime shumë të rënda, jo për të justifikuar krimet, vrasjet e burrave, por për një arsye tjetër, për arsyen se unë besoj shumë fort një grua arrin në atë ekstrem përtej faktit që kryen një krim të rëndë dhe të dënueshëm ka me siguri një mijë e një arsye, një mijë e një plagë në mendje dhe shumë kujtime të hidhura në trup që e çojnë në atë pikë”, -nënvizoi Rama duke shtuar se megjithatë përtej kësaj duhet të them që predispozita e ministres Gjonaj ka qenë maksimale, por edhe kufizimi në këtë pikë i ka të gjitha arsyetimet ligjore dhe morale.
Kreu i qeverisë u shpreh se “e çmoj Etildën në këtë drejtim se vjen nga një rrugë në karrierën e saj ku e ka nisur punën në anën e të drejtave të njeriut duke qenë një person aktiv në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të grave edhe pranë komunitetit të Helsinkit, por edhe me organizata të tjera me të cilat ka bashkëpunuar dhe është jo vetëm e ndjeshme në këtë pikë, por edhe shumë e dedikuar në përditshmërinë e punës”.
“Besoj shumë që edhe çfarë është nisur jo bitisur akoma për ta kthyer këtë institucion në një vend më të mirë, do të bëjë të mundur që edhe ato që do të qëndrojnë për të kryer dënimin deri në fund mund të ndjehen më mirë. Kam pasur një bisedë të gjatë me drejtoren tuaj kur ka nisur këtë punë, kemi biseduar me Etildën për të krijuar kushte që ju pavarësisht se jetoni brenda rrethimit të telave me gjemba mund të keni një jetë të përditshme dhe një aktivizim që ta bëjë më të lehtë dënimin”.
Kryeministri tha se “është fatkeqësi e madhe se kur shikon gjithë historinë e sistemit tonë gjyqësor shikon se në kapitullin e gjyqeve mes burrave dhe grave, raporti i vendimeve që shkojnë në favor të burrave, me atë që shkon në favor të grave është skandaloz. Këtu kam parasysh gjyqe që të rrënqethin mishin kur lexon dosjet për gra të dhunuara, të përdhunuara me protagonistë që shpëtojnë ose si të pafajshëm fare ose me dënime qesharake dhe edhe me përsëritës burra të dënuar për akte dhune ndaj grave që ribëjnë akte dhune pasi lirohen në sallën e gjyqit dhe dalin të lirë duke e bërë faktikisht edhe shtetin bashkëfajtor në krim në këtë rast”.
Po ashtu, shtoi ai, përtej shumë përmirësimeve që i janë bërë vite legjislacionit kundër dhunës ndaj grave në zbatim është shumë e qartë që përsëri gratë janë viktima në masën më të madhe.
“Viktima jo më të fajit të tyre, por të një sistemi që gjithmonë priret prej vitesh që fajësinë ta lërë tek pjesa më e dobët, tek gratë, më të varfrit tek ata që nuk kanë mundësinë ta blejnë të drejtën. Përkundër palësh përballë që janë më të fortë , jam më “të shkathët , më të pasur”, – tha Rama.
“Kini besim qe ne do bëjmë edhe më shumë për ju sepse të vazhdojmë të jemi pranë jush qoftë për ato që do lënë këtë institucion, pasi parlamenti të votojë amnistinë menjëherë pas Vitit të Ri qoftë për ato që do mbeten këtu”, tha Rama. Rama shtoi se “do ndjekim siç e tha edhe ministrja Gjonaj rehabilitimin në jetë të të gjithë grave që do dalin, do të kujdesemi që secilës t’i jepet një mundësi për punë, do kujdesemi që të kuptojmë çfarë nevojash të tjera kanë që ne mund t’i plotësojmë dhe çfarë kanë nevojë familjet tuaja”./atsh