Majat e maleve më të larta të rrethit të Kukësit si Gjallica, Pikëllima, Kallabaku, Maja e Kolesianit Guri i Mëngjesit të japin pamje të mrekullueshme, sidomos në stinën e dimrit kur i mbulon dëbora.
Ecja në këmbë në natyrë është shndërruar në një sport tepër të aplikuar, pasi natyra dhe territoret me shtigje të ngushta ofrojnë një kënaqësi të veçantë.
Vendet më të preferuara nga turistët janë ato me terren malor, pasi janë të përshtatshme për të bërë turizëm eksplorimi dhe ngjitje, ku oferta në Shqipëri është e larmishme.
Ermal Hallaçi, drejtues i guidës turistike të qytetit të Kukësit, tha për ATSH-në se “ditët e fundit shoqërova një grup alpinistësh prej 14 personash nga Kosova dhe Kukësi në Majën e Kallabakut, 2174 m mbi nivelin e detit”.
“Udhëtimi zgjati 7 orë në dy drejtimet dhe nisja u bë nga liqeni i Kallabakut. Ngjitja kishte pak vështirësi për shkak edhe të pranisë së dëborës”, tha Hallaçi.
Guida turistike e qytetit të Kukësit u shpreh se “Kallabaku është pjesë e Parkut Korab-Koritnik, ndërsa ka disa shtigje të cilat të çojnë në majë. Pamja është mahnitese ku syri nuk ngel pa parë vargmalet e alpeve të Sharrit që nga kjo majë i shikon dhe i identifikon pothuajse çdo majë gjithashtu Korabin që duket tamam si një kurorë mbretërore”, – theksoi Hallaçi.
Në stinën e dimrit është pikërisht momenti i përshtatshëm për shfrytëzimin e kohës ideale me borë dhe diell për ngjitje në mal.
Parku Natyror Korab-Koritnik është nga zonat më të bukura që ka rajoni i Kukësit dhe veriu i Shqipërisë. Ai shtrihet në një lartësi mbi 1300 metra mbi nivelin e detit dhe mund të gjesh gjithë bukurinë natyrore dhe peizazhet e mrekullueshme./atsh