“Me reformën në drejtësi kam besim se shumë gjëra do të ndryshojnë, natyrisht që është e vështirë për njerëzit e lodhur dhe të neveritur për shumë vite nga sistemi i drejtësisë që të kuptojnë që ky është një proces që kërkon durim shumë të madh”.
Më këto fjalë iu drejtua sot Kryeministri Rama grave që vuajnë dënimin tek burgu i grave në Tiranë.
“Të ndërtosh një shtëpi me duart e tua, me të ardhurat e tua, me tulla e llaç e kërkon një vit ose dy vjet. Jo më të ndërtosh një sistem që ka kaq shumë ndërveprime, njerëz, duar, sy, mendje e kështu me radhë që kërkon kohën e vet. Ndërkohë që ajo që është bërë këtë periudhë nuk është bërë në të gjitha vitet e tjera të marra së bashku në raport me kundërvënien ndaj të korruptuarve në sistemin e drejtësisë dhe atyre që do e kishin merituar një mijë herë më shumë se edhe ajo që këtu ka bërë krimin të rëndë që të ishin ata në burg që dhe në fakt me kostum e me kravatë kanë dhënë vendime që e kanë shkelur, rishkelur dhe stërshkelur të drejtën e njerëzve të zakonshëm”, – nënvizoi Rama.
Kundërvënia ndaj tyre, vijoi Rama, pastrimi i i tyre nga sistemi i drejtësisë është një gur themelor që ndryshon rrugën e historisë.
“Por natyrisht kjo është një rrugë më e gjatë sesa durimi i njerëzve dhe është një rrugë që shtrohet me mundim të madh që shtrohet hap pas hapi vit pas viti, dhe në fund të ditës ajo që është e rëndësishme është që të gjithë mendojmë se vajzat tuaja, djemtë tuaj, fëmijët tuaj, nesër të jetojnë në një vend që ka një sistem drejtësie nuk i bën më krimet e fajet dhe gabimet e bëra në gjithë këto 30 vjet”, – theksoi Rama./atsh