NDAHET NGA JETA NË MOSHËN 74 VJEÇARE NJERIU MODEL,SPORTISTI SHËMBËLLOR DHE MJESHTRI I MADH GANI MEZINI!I PAHARUAR KUJTIMI I TIJ….NGUSHËLLIME GRUAS DHE VAJZAVE!
Lindur dhe banues në qytetin e Vlorës, më 10 dhjetor 1945.
“Mjeshtër i Merituar Sporti”.
“Nder i Sportit Shqiptar”.
“Personalitet i shquar i Qarkut Vlorë”.
“Qytetar Nderi i Vlorës”.
“10 sportistët më të mirë të shekullit në Vlorë”
“100 sportistët më të mirë të shekullit në Shqipëri”
“Mjeshtër i madh në 2019”
E ka filluar karrierën sportive në Spartakiadën Kombëtare të Pionerëve, të zhvilluar në Durrës në vitin 1959, ku zë vendin e parë në kërcimet e kalit dhe në not 50 m stil i lirë. Në Spartakiadë shkoi për të garuar në sportin e notit, por duke qenë i aktivizuar si akrobat në shtëpinë e kulturës, garoi edhe në disa sporte të gjimnastikës, dhe u shpall kampion si në traun e ekuilibrit, kërcimin e kalit dhe ushtrime të lira. Trajneri i tij i parë, në Spartakiadën e Pionierëve ka qenë Faruk Mezini, ndërsa trajneri i tij, kur ka kaluar në ekipin e të rinjve ka qenë, Eqerem Kushta. Shpallet Kampion Kombëtar, në Kampionatin e kategorisë së parë për të rinj në vitin 1962. Në Korrik të vitit 1963, në Spartakiadën e shtatë kombëtare të shkollave të mesme, shpallet Kampion në gjashtëgarëshin gjimnastikor me 58,2 pikë nga 60 të mundshmet. Në Nëntor 1963, në Lojërat e Para Studentore, shpallet Kampion në Gjimnastikë. Në Nëntor 1965, shpallet Kampion Kombëtar, në Kampionatin Kombëtar të Gjimnastikës për Kategorinë e Parë. Në vitin 1965 fiton titullin “Mjeshtër Sporti”. E fiton titullin me normat e mjeshtrave të Bashkimit Sovjetik, që për kohën ishin nga më të lartat në botë. Më vonë do të kapte edhe normat e vendosura në Olimpiadën e Meksikës. Nga viti 1965-1978, ka qenë anëtar i ekipit Kombëtar të Gjimnastikës. Në vitin 1971, ishte anëtar i ekipit kombëtar, pjesëmarrës në turneun e R.P. të Kinës. Ka qenë i vetmi sportist pjesëmarrës në të gjitha aktivitetet e zhvilluara gjatë turneut. Në vitin 1972 në Kampionatin Kombëtar të Mjeshtrave të Sportit, shpallet Kampion në Unaza dhe Kërcim Kali. Në Tetor 1974, në Spartakiadën e Tretë Kombëtare, shpallet Kampion me Medaljen e Artë në Gjashtëgarëshin Gjimnastikor dhe fitues i pesë medaljeve (dy të Arta dhe tre Argjendi). Garat në Spartakiadën e Tretë Kombëtare, i kujton si më të bukurat sepse njëkohësisht edhe konkurronte në gara si gjimnast edhe ishte trajner i ekipit të gjimnastikës “Flamurtari”. Ekipi përbëhej nga Ilir Çela e Ilir Tafili, Fotaq Leka, Anastas Xhoxhi e Vasil Ruci. Në atë Spartakiadë, do të renditej në vendin e parë si individ e në vendin e dytë si ekip. Ka patur konkurrentë të fortë Bujar Bujarin e “17 Nëntorit”, Arqile Markon të “ILKF”, Xhavit Xhanin e “Partizanit”. Në vitin 1975-1976 ka qenë anëtar i ekipit kombëtar, pjesëmarrës në takimet miqësore të zhvilluara në Shqipëri dhe R.P. të Kinës. Nga viti 1969-1980 ka qenë trajner i ekipit të “Flamurtarit” për kategorinë e parë dhe Mjeshtrat e Sportit në Gjimnastikë. Në vitet 1969, 1970, 1972, 1975 ka zënë vende të dyta në Kampionatet Kombëtare. Në vitin 1977 me ekipin e Mjeshtrave të Sportit shpallet “Kampion i Republikës”.
Në datën 5 maj të vitit 1978, në ceremoninë e fillimit të Garave të Mjeshtrave dhe të kandidatmjeshtrave të Gjimnastikës në ushtrimet fakultative, Gani Mezini do të largohet nga sporti i bukur i gjimnastikës. Në vitin 1999 shpallet një nga “10 sportistët më të mirë të shekullit” për Vlorën. Në 14 maj 2015 i jepet titulli “Qytetar Nderi i Vlorës”,dhe në maj të të 2019 i jepet titulli “Mjeshtër i madh”.