Loading...

Reshje dëbore në Llogora, Prefekti Mamaj për ATSH-në: Asnjë problem me qarkullimin, hidhet kripë në rrugë

Llogoraja prej mbrëmjes së djeshme është mbuluar nga dëbora, ndërkohë që reshjet nuk kanë krijuar asnjë shqetësim në qarkullimin e automjeteve në segmentin rrugor që përshkon këtë rrugë, pjesë e aksit kombëtar Vlorë-Sarandë.

Prefekti i qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj, tha sot për ATSH-në se “gjatë natës së mbrëmshme në Llogora ka rënë fillimisht breshër dhe më pas dëborë. Mjetet borëpastruese të subjektit koncensionar, që mirëmban këtë rrugë, kanë pastruar dëborën”.

“Ky proces është shoqëruar edhe me hedhjen e kripës në shtratin e rrugës gjatë mbrëmjes, por edhe mëngjesin e sotëm, gjë që krijon parametrat e duhur për lëvizjen e mjeteve dhe shmangien e rrezikut të rrëshqitjes”, theksoi Mamaj.

Prania e borës në mjediset e Parkut Kombëtar të Llogorasë, e bën më tërheqës këtë mjedis pyjor malor edhe për të apasionuarit pas turizmit të bardhë.

Qafa e Llogorasë ka rëndësi të madhe si një destinacion turistik dhe shërben si një urë tranziti për të dy llojet e turizmit, atë bregdetar dhe atë malor./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com