Loading...

Amnistia për të burgosurit/ Përfitojnë lirinë 28 gra, burrat mbi 60 vjeç si dhe të mitur

Qeveria miratoi sot draftin për amnistinë e fundvitit për gratë e burgosura, fëmijët e mitur dhe burrat e dënuar deri në 3 vite dhe në moshën mbi 60 vjeç.

Në një deklaratë për mediat, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj tha se “ndryshe nga herët e tjera, qëllimi dhe angazhimi kryesor i qeverisë por edhe i imi personalisht si ministre e Drejtësisë ka qenë që kjo amnisti t’i dedikohej disa kategorive të veçanta, si grave, të miturve dhe të moshuarve, që vuajnë dënimin në një nga institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale”.

Ajo tha se nga kjo amnisti përftojnë një kategori të dënuarish që vlerësohet se për shkak të dënimit të mbetur, ose veprës së lehtë për të cilën janë dënuar të lirohen përpara kohës së kryerjes së këtij dënimi.

“Nga amnistia e miratuar nga Këshilli i Ministrave, në bazë të të gjitha kritereve të vendosura më të lehtësuara për gratë dhe të miturit, nga 56 gra që vuajnë aktualisht dënimin, përfitojnë lirim të menjëhershëm gjysma e tyre. Thënë më qartë, fitojnë lirinë 28 gra dhe ndërkohë përfitojnë uljen me 1/3 e dënimit të mbetur 28 gra të tjera”, tha Gjonaj.

Gjonaj tha se “nga amnistia përfitojnë gjithashtu edhe 4 të dënuar të mitur që vuajnë sot dënimin dhe 2 të tjerë përfitojnë uljen me 1/3 e dënimit”.

“Nga ana tjetër, nga kjo amnisti përfitojnë edhe një numër i konsiderueshëm burrash, të cilët janë dënuar me dënim të formës së prerë deri në 2 vjet, vendim i formës së prerë deri në datë 30/9/2019, ose u kanë mbetur për të vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet burgim”, tha Gjonaj.

Gjithashtu, Gjonaj tha se “një kategori tjetër përfituese janë edhe burrat mbi 60 vjeç, të cilët nuk janë dënuar për vepra penale që janë të ndaluara për të përfituar nga amnistia”.

“Sigurisht, duhet vënë në dukje se pavarësisht se një pjesë e të dënuarve mund të përmbushin kushtin e dënimit apo të moshës, në rats se këta persona janë dënuar për një kategori të caktuara veprash penale, që kryesisht janë vepra penale të rënda, ose shumë të rënda, nuk mund të përfitojnë nga kjo amnisti. Tashmë besojmë se edhe Kuvendi do të jetë dakord me propozimin e qeverisë për miratimin e këtij projektligji për t’i bërë më të afërta ditët kur kjo kategori e të dënuarve do të jetë pranë familjarëve të tyre”, tha Gjonaj. /atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/853586915100955/?t=0

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com