Kryeinspektori i Inspektoriatit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, Valdrin Sahitaj, i bëri sot apel prindërve të kenë kujdes kur blejnë lodra për fëmijët.
Gjatë ditës së sotme, trupat inspektuese u ndalën në tregun e “Medresesë” në kryeqytet, ku bënë verifikime në subjekte importuese, si dhe ato të tregtisë me shumicë dhe pakicë.
Nga inspektimi rezultoi se disa prej subjekteve tregtonin produkte që nuk plotësojnë standardet europiane, pra janë të pamarkuara CE, dhe me mungesë të dokumentacionit teknik, të kërkuar sipas legjislacionit në fuqi.
Gjatë një inspektimi të kryer në disa dyqane ku shiten lodra për fëmijë, Sahitaj tha se “ISHMT në bashkëpunim me Qendrën Konsumatori Shqiptar, ka kryer disa teste laboratorike për disa modele lodrash të marra në analizë dhe nga testet laboratorike ka rezultuar se ka elementë kimikë me rrezik të lartë për shëndetin e fëmijëve, ku përfshihen disa kategori të ftalateve, boronit dhe elementëve të tjerë të ndaluar kimikë në këto produkte”.
“Vetëm në ditët e para të muajit dhjetor, ISHMT ka bllokuar rreth 10 mijë produkte, pasi tregtoheshin në kundërshtim me përcaktimet ligjore. “Për të gjitha produktet që rezultojnë me përmbajtje të elementëve kimikë jashtë tolerancave të përcaktuara në legjislacionin shqiptar që tashmë është plotësisht i transpozuar me atë europian, janë marrë masa bllokimi të përhershëm dhe shkatërrimi të produkteve lodra. Janë 10,000 produkte që janë bllokuar në pjesën e parë të muajit dhjetor. Ju kërkojmë importuesve dhe gjithë linjës së tregtimit të produkteve lodra, të bëjnë kujdes në produktet, që ata tregtojnë për konsumatorët, të cilat duhet të jenë në përputhje me legjislacionin për mbikëqyrjen e tregut, si edhe të tërheqin nga tregu produktet për të cilat ISHMT ka vendosur masën e ndalimit të përhershëm dhe janë njoftuar zyrtarisht si produkte të rrezikshme”, tha Sahitaj.
ISHMT do të vijojë inspektimet dhe informimin e konsumatorëve për modelet dhe kategoritë e produkteve të cilat janë të ndaluara të vendosen dhe tregtohen në vend./atsh