Qeveria ka rritur në 3 miliardë lekë buxhetin 2020 në mbështetje të investimeve të reja, në sistemin e ujitjes, kullimit dhe parandalimin e përmbytjeve në zonat rurale.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, bën të ditur se, zgjerimi i investimeve në veprat ujitëse synon të rrisë në 76% numrin e fermerëve që përfitojnë nga infrastruktura ujitëse kundrejt 70,3% që shënoi në vitin 2019 ky tregues.
Strategjia e Ministrisë së Bujqësisë për vitin që vjen, parashikon në fushën e “Infrastrukturës së Ujitjes dhe Kullimit”, të realizojë investime të rëndësishme për rritjen në 72% të sipërfaqes ujitëse ku fermerët kanë akses për ujë për ujitje, kundrejt sipërfaqes potencialisht të ujitshme (360 000 ha) nga 66,6% që është në vitin aktual.
Gjithashtu investimet do të rrisin numrin e hidrovoreve të rehabilituara, ndërtuara, rikonstruktuara, kundrejt totalit të nevojshëm (14 hidrovorë) nga 21,4% në vitin 2019, në 36% në vitin 2020.
Ndërsa mirëmbajtja vjetore e rrjetit kullues do të arrijë në 45 000 hektarë tokë.
Investime janë parashikuar edhe në vepra të mbrojtjes nga përmbytjet si (argjinatura gjatësore dhe penele tërthorë), kundrejt totalit të nevojshëm (300 km) nga 12% në vitin 2019, në 28% në vitin 2020./atsh