Festat e fundvitit kanë ndezur atmosferën dhe në institucionin e vuajtjes së dënimit “Ali Demi”, ku gratë e dënuara takuan të hënën fëmijët e tyre të vegjël.
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, në një reagim të saj, theksoi se gratë e dënuara mundën të ndajnë urimet e festave dhe t’i japin pakon e dhuratave vogëlushëve të vegjëlve të tyre, nën një atmosferë festive.
“Teksa dritat e shumta të festave kanë ndezur atmosferën speciale të fundvitit, menduam që ndriçimin e tyre ta përcjellim edhe në institucionin e vuajtjes së dënimit “Ali Demi” ku gratë e dënuara mundën të takojnë vogëlushët e tyre, të ndajnë urimet e festave dhe t’i japin pakon e dhuratave”-, thekson Gjonaj në reagimin e saj.
“Me mbështetjen e organizatës “Save the Children”, të cilën gjej rastin që ta falënderoj, ne mundëm t’i krijojmë disa momente festive të miturve të cilët morën mesazhin e festës nga nënat e tyre të cilat padyshim pavarësisht gabimit që kanë kryer dhe do ta kryejnë dënimin deri ditën e fundit, e meritojnë të ringrihen”-, bënë të ditur ministrja e Drejtësisë.
“Gjithashtu, në takim u prezantuan edhe disa nga detajet e punës që kemi nisur për të ndjekur çdo rast në mënyrë që gratë e dënuara të kenë mundësi që pas rehabilitimit të gjejnë forcën për t’i shërbyer sa më denjësisht vetes, familjes dhe shoqërisë.Puna vazhdon, për “Drejtësinë Që Duam” dhe “Shqipërinë Që Duam”-, garanton Gjonaj, duke mbyllur reagimin e saj.
Gjatë aktiviteit të organizuar në IEPV “Ali Demi” ishte e pranishme dhe zv. ministrja e Drejtësisë, Fjoralba Cakaj./atsh