Loading...

Atentati ndaj prokurorit Kuliçi, reagon Prokuroria e Vlorës: Akt kriminal, i papranueshëm

Prokuroria e Vlorës ka reaguar ashpër lidhur me ngjarjen e ndodhur të shtunën kur makina e Albert Kuliçit, me detyrë zv.drejtues i Prokurorisë së Vlorës shpërtheu si pasojë e lëndës eksplozive të vendosur në automjetin e prokurorit.

Ngjarja e ndodhur në orët e para të ditës së shtunë është vlerësuar nga Prokuroria e Vlorës si një akt kriminal, i papranueshëm me sistemin tonë të drejtësisë.

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, pas ngjarjes së rëndë dhe kriminale, të ndodhur rreth orës 03.00 të mëngjesit të datës 21.12.2019, si pasojë e shpërthimit të një sasie lënde eksplozive, vendosur në mjetin me targa AA583OO, në pronësi të prokurorit, Albert Kuliçi, me detyrë zv.drejtues i kësaj prokurorie, si dhe pas analizimit të detajeve të ngjarjes, e konsideron këtë ngjarje si një sulm të drejtuar ndaj këtij prokurori për shkak të funksionit dhe detyrës së tij”-, njoftoi Prokuroria Vlorë.

“Ky është një akt kriminal, i papranueshëm me sistemin tonë të drejtësisë, parimet e Shtetit të së Drejtës, vlerat dhe parimet shoqërore, që synon të cenojë detyrën e tij si prokuror dhe gjithashtu të intimidojë në luftën kundër krimit. Prokuroria e rrethit gjyqësor Vlorë, dënon rëndë akte të tilla kriminale, të cilat në thelb dëmtojnë rendin dhe sigurinë juridike”.

“Duke mbështetur kolegun tonë në vijim, trupa e Prokurorëve të kësaj prokurorie, në respektim të ligjit dhe parimeve Kushtetuese, do të jetë gjithmonë e pa ndikuar në luftën pa kompromis kundër krimit. Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë”-, përfundoi reagimin i Prokurorisë së Vlorës. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com