Përkeqësimi i motit në vend ka prekur edhe portin e Durrësit, që përmes një informacioni theksoi se situata e krijuar gjatë orëve të fundit ka krijuar problematika në veprimtarinë portuale, kryesisht në nisjen/ mbërritjen e trageteve të linjës Durrës-Bari/Ankona.
Trageti i linjës Durrës-Bari(Aurelia), i parashikuar për t’u nisur në orën 12:00 të mesditës së sotme, është nisur në orën 15:20, për shkak të erës së fortë dhe detit të trazuar.
Në Terminalin Lindor është pezulluar përkohësisht përpunimi i dy anijeve tregtare, si pasojë e motit të keq.
Ndërkohë, anija konteinerike ‘’X Press Shannon”, ndodhet në radë, në pamundësi për t’u akostuar në kalatë për shkak të erës së fortë.
Drejtoria e Përgjithshme Detare, Kapiteneria e Portit të Durrësit, Dispeçeria e Autoritetit Portual, Shërbimi i Rimorqimit, Shërbimi i Pilotimit, Shërbimi Ormexhimit, në gatishmëri të plotë, në funksion të hyrje-dalje të anijeve dhe trageteve dhe në kohe të keqe, 24/24 porti i hapur.
Një ditë më parë Drejtoria e Përgjithshme Detare njoftoi përkeqësim të kushteve të motit për periudhën kohore 20-23 dhjetor. /atsh