Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “unë kam arritur atë që të tjerë nuk e kanë arritur dot, që Serbia të vijë pa kushte në tryezë me Kosovën”.
Në një komunikim me gazetarët pas takimit të 3-të rajonal për Ballkanin Perëndimor, Rama tha se “ndërkohë që SHBA dhe BE janë sot këtu në tryezë bashkë me të gjithë të pranishmit, Kosova mungon”.
“Ju kujtoj të gjithë patriotëve të profileve fallco apo origjinale në Facebook, që bëjnë sikur kanë rënë nga qielli, që ka 5 vjet të paktën, që udhëheqësit e Kosovës janë në tryezë me Presidentin dhe kryeministrin e Serbisë, në gjithë çfarëdolloj formatesh në Berlin, në Londër dhe në shumë e shumë vende”, tha Rama.
Ai u shpreh se “duket sikur është hera e parë që bëhet një takim për ato gjëra për të cilat udhëheqësit e Kosovës kanë rënë dakord me vite të tëra”.
“Është mirë të kujtohet kjo, të kujtohet që kanë ngrenë e kanë pirë nëpër tryeza, darka e dreka pune me palën serbe dhe me të tjerët dhe kanë bërë shumë mirë. Kjo nuk do të thotë se kanë hequr dorë nga pavarësia dhe nga të gjitha pretendimet legjitime në lidhje me të shkuarën, por se kanë qenë të ulur aty se jetojmë një botë të ndërlidhur. Kosova është pjellë e luftës së popullit të saj, por edhe mbi të gjitha e luftës me bomba të SHBA-së dhe të shumë prej vendeve të mëdha të BE-së”, tha Rama.
Rama tha se “ndërkohë që SHBA dhe këto vende të BE-së, gjithë BE, janë sot këtu në tryezë bashkë me të gjithë të pranishmit, Kosova mungon”.
“Kosova mungon jo sepse nuk është e ftuar, nuk mungon sepse i është vënë një kusht, nuk mungon sepse unë apo ne këtu kemi ndryshuar ndonjë qasje apo opinion në raport me të drejtën e saj të pamohueshme për të qenë e njohur nga Serbia dhe të gjithë, por mungon sepse ka hyrë në një rrugë qorre dhe prej disa kohësh po i bie vetes dhe po humb respekt, mbështetje dhe reputacion. Më thoni një gjë të vetme në gjithë këtë përpjekje me të cilën Kosova nuk ka qenë dakord, procesi i Berlinit, CEFTA apo nismat e tjera rajonale me të gjitha”, tha Rama.
I pyetur lidhur me qëndrimin e Serbisë për masakrën e Reçakut, Rama tha se “atë e kam dënuar edhe unë publikisht, por nuk di në historinë e njerëzimit ndonjë rast kur konfliktet pas luftës janë zgjidhur pa u ulur përballë ose në krah dhe pa vazhduar me këmbëngulje përpjekjet për dialog, apo kur zgjidhjet të kenë ardhur sa hap e mbyll sytë”.
Rama tha se “zgjidhjet përfundimtare duan durim, këmbëngulje, diplomaci dhe jo barrikada qorrazi në Facebook”.
I pyetur nëse ndjen përgjegjësi personale për mungesën e Kosovës në këtë tryezë, Rama tha se “do të ndjente përgjegjësi në rast se Kosova nuk do të ishte e ftuar apo do të kishte një kusht për Kosovën”.
Rama tha se “përmes kësaj nisme ne çlirojmë të gjithë potencialet në marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën”.
“Sa marrëveshje janë bërë dhe sa herë janë bërë thirrje apo deklarata patriotike për hapjen e kufirit. Unë kam arritur atë që të tjerët nuk e kanë arritur, që Serbia të vijë pa kushte në tryezë me Kosovën. Shikojeni realitetin në sy. SHBA, vendet më të mëdha të BE-së i kërkojnë Serbisë të njëjtën gjë, të njohë Kosovën, por janë në tryezë me Serbinë, e mbështesin me gjithsej këtë nismë dhe i kërkojnë Kosovës që të mos braktisë tryezën, por të jetë pjesë e nismës. Mos vallë dhe SHBA dhe BE kanë mbyllur sytë, e kanë lënë të shkuarën njëherë e përgjithmonë pas dhe në raport me Serbinë kanë ndryshuar ndonjë qëndrim? Jo, mendoj se të gjithë janë në të njëjtin pozicion: Serbia duhet të njohë Kosovën, por ndërkohë jemi në realitetin e jetës së përditshme”, tha Rama.
“Dje isha hero kur isha në Beograd dhe kërkova ballë për ballë njohjen e Kosovës nga Serbia, sot për disa jam tradhtar. Unë nuk jam as hero, as tradhtar. Çfarë do të thoni nesër kur Kosova të vijë dhe të ulet në këtë tryezë, siç ishte deri dje?, vijoi Rama.
Kryeministri tha se “kjo zhurmë e madhe është rezultat i atyre që duhet ta udhëheqin Kosovën drejt së ardhmes dhe sot janë futur në një rreth vicioz që shpresoj të dalin sa më parë, sepse kjo nuk i ndihmon Kosovës dhe zgjidhjes së çështjes”.
“Kam reaguar dhe do të reagoj ndaj atyre që mbushin rrjetet sociale me sharje, me fyerje e damka, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me mua, por jam këtu për të çuar para idenë time dhe për fat të mirë nuk është ide e papërkrahur nga askush, por është e përkrahur nga të gjithë. Unë hapjen e kufijve në Ballkan e kam kërkuar vijimësisht qysh në procesin e parë të Berlinit,Kosova ishte aty. Serbia e ka kundërshtuar vijimësisht këtë kërkesë. Sot Serbia e ka pranuar”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “nuk është përgjegjës pse Kosova nuk vjen në tryezë. “Autoritetet në Kosovë nuk i urdhëroj unë, por kam thjesht detyrën t’u them: jeni gabim vëllezër. Kosova nuk ka nevojë për një garë të brendshme se kush refuzon dhe mbyllet më shumë apo për formula zhvillimi ekonomik që nuk qëndrojnë as në qiell, as në tokë. Kosova ka nevojë të qëndrojë afër, në krah me Shqipërinë dhe miqtë e vet të ditës së parë që janë SHBA dhe BE dhe të mos kthejë vizionin e së ardhmes dhe strategjinë e së ardhmes në një luftë politike të ditës dhe taktikë dritëshkurtër që nuk çon asgjëkundi “, tha Rama. /atsh
https://www.facebook.com/edirama.al/videos/614522382637689/?t=0