Kreu i PD-së Lulzim Basha deklaroi sot se “Kosova është shtet i pavarur dhe Shqipëria ka detyrimin të promovojë dhe respektojë pavarësinë e Kosovës dhe institucionet e saj”.
Në reagim të deklaratës së Kryeministrit Edi Rama për mungesën e Kosovës në tryezën e liderëve të Ballkanit Perëndimor për Shengenin Ballkanik, “jo se nuk është e ftuar, por mungon se ka hyrë në një rrugë pa dalje”, Basha e konsideroi si sulm kundër liderëve politikë të Kosovës.
“Dënoj sulmin e Edi Ramës kundër liderëve politikë të Kosovës dhe shpreh ndjesë në emër të çdo shqiptari për këtë akt të papranueshëm”, tha Basha duke shtuar se “gjuha e urrejtjes ndaj institucioneve të Kosovës është akt i denjë vetëm për një peng të antishqiptarizmit si Edi Rama”.
“Kosova është shtet i pavarur dhe Shqipëria ka detyrimin të promovojë dhe respektojë pavarësinë e Kosovës dhe institucionet e saj. Koha e vasalitetit të autokratit të korruptuar të Tiranës ndaj armiqve dhe kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovës do të marrë fund shumë shpejt”, tha kreu i PD-së.
Më herët, gjatë konferencës për shtyp pas takimit të 3-të rajonal të liderëve të Ballkanit Perëndimor për thellimin e bashkëpunimit për përshpejtimin e “Katër lirive të BE-së”, Kryeministri Edi Rama deklaroi se “kam arritur atë që të tjerët nuk e kanë arritur, që Serbia të vijë pa kushte në tryezë me Kosovën. SHBA, vendet më të mëdha të BE-së i kërkojnë Serbisë të njëjtën gjë, të njohë Kosovën, por janë në tryezë me Serbinë, e mbështesin këtë nismë dhe i kërkojnë Kosovës që të mos braktisë tryezën, por të jetë pjesë e nismës”.
“Autoritetet në Kosovë nuk i urdhëroj unë, por kam thjesht detyrën t’u them: jeni gabim vëllezër. Kosova nuk ka nevojë për një garë të brendshme se kush refuzon dhe mbyllet më shumë apo për formula zhvillimi ekonomik që nuk qëndrojnë as në qiell, as në tokë. Kosova ka nevojë të qëndrojë afër, në krah me Shqipërinë dhe miqtë e vet të ditës së parë që janë SHBA dhe BE dhe të mos kthejë vizionin e së ardhmes dhe strategjinë e së ardhmes në një luftë politike të ditës dhe taktikë dritëshkurtër që nuk çon asgjëkundi “, ka theksuar Rama./atsh