Zbatimi i reformës në drejtësi ishte çështja kryesore në takimin që zhvilloi sot në Tiranë, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj me Genoveva Ruiz Calavera, shefe e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), ambasadorin e BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, ekipin e Komisionit Europian, përfaqësueset e misioneve EURALIUS dhe OPDAT.
Gjatë këtij takimi intensiv, u zhvillua një analizë e detajuar mbi ecurinë dhe rezultatet konkrete të reformës për vitin 2019, status quon e saj, si dhe përmbushja e objektivave në vijim ku funksionimi dhe forcimi i institucioneve të reja të drejtësisë, do të jenë ndër prioritetet kyçe për vitin 2020.
“Ky dialog i frytshëm na shërbeu jo vetëm për të evidentuar nevojat imediate të ecurisë së reformës në drejtësi, por edhe të drejtimeve për vitin pasardhës në kuadër të mbështetjes teknike dhe buxhetore që KE po jep për zbatimin e saj.Falë bashkëpunimit dhe mbështetjes nga Komisioni Europian si dhe ambasada e SHBA, ne do të vijojmë më tej per zbatimin tërësisht të reformës në drejtësi”- u shpreh Gjonaj./atsh