Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, mbërritën pasditen e sotme në Tiranë, pasi do të marrin pjesë në takimin e liderëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor për thellimin e bashkëpunimit për përshpejtimin e “Katër lirive të BE-së” që zhvillohet në datat 20-21 dhjetor 2019 në vendin tonë.
Vuçiç dhe Zaev u pritën nga kryeministri Edi Rama, ndërsa më pas zhvilluan një takim jozyrtar në Hotel “Rogner”, Tiranë.
Pas dy takimeve të mëparshme të këtij niveli, të zhvilluara në Novi Sad, Serbi dhe në Ohër, Maqedoni e Veriut, ku morën pjesë liderë dhe përfaqësues të lartë shtetërorë, të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe përfaqësues të lartë të institucioneve europiane, takimi i tretë rajonal i vendeve të Ballkanit Perëndimor do zhvillohet në Shqipëri në datat 20-21 dhjetor 2019.
Më pas, në orën 19.00, Kryeministri Edi Rama së bashku me delegacionet pjesëmarrëse do të jenë të pranishëm në Parkun Olimpik, në eventin e veçantë të bamirësisë “Ti nuk do të jesh kurrë vetëm”, dedikuar procesit të rindërtimit, pas tërmetit të 26 nëntorit.
Ndërsa të shtunën, më 21 dhjetor, ora 08.45, të ftuarit do të vizitojnë disa nga zonat e prekura nga tërmeti, në Durrës.
Më pas, në orën 10.00, në hotel “Rogner” do të zhvillohet “Sesioni i liderëve”. Në orën 12.00 do të vijohet me Seancën Plenare me pjesëmarrjen e delegacioneve.
Në orën 13.15, të ditës së shtunë, aktivitetet do të përmbyllen me konferencën e përbashkët për shtyp. /atsh
https://www.facebook.com/edirama.al/videos/1034948883532078/?t=0