Loading...

Konstituimi i SPAK, Felaj: Do përballen me drejtësinë të gjithë zyrtarët që kanë shkelur ligjin

“Do të përballen me Drejtësinë të gjithë ata zyrtarë dhe ish-zyrtarë që kanë shkelur ligjin”, tha sot e ftuar në një studio televizive, deputetja e PS-së Ermonela Felaj.

Deputetja e PS-së Felaj tha se me konstituiimin e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, SPAK tregon qartazi se dilemat për ecurinë në Drejtësi do të marrin fund sepse është një reformë që dita-ditës po provon vetveten dhe dita-ditës po nxjerrë në pah veprimin e institucioneve të reja në Shqipëri.

“Sigurisht pritshmëria është shumë e madhe për krijimin e kësaj prokurorie, edhe pritshmëria vjen nga kuadri ligjor, mbi bazën e të cilit është ngritur dhe pritet të funksionojë Prokuroria e Posaçme”, tha ajo.

Në lidhje me ndikimin e politikës te SPAK, Felaj tha se mënyra e zgjedhjes së prokurorëve është shumë e rëndësishme për të kuptuar nëse këto persona apo organe do të jenë të varura nga politika. Në fakt, një nga përgjigjet themelore të Reformës në Drejtësi është varësia nga politika.”

Në lidhje me anën profesionale të anëtarëve të SPAK, Felaj tha se janë prokurorë që kanë kaluar Vetingun dhe ata janë të pastër përsa i përket figurës e integritetit profesional.

Në lidhje me dosje të caktuara që mund të merret SPAK, Felaj tha se asnjë organ nuk është imun nga ndërhyrjet, por njerëzit që vendosen në këto organe duhet të jenë të tillë që t’u bëjnë rezistencë këtyre ndërhyrjeve. “Pra, krijimi i organeve të reja nuk do të thotë që pjesa që shkel ligjin automatikisht do pushojë së përpjekuri për të ndërhyrë dhe për të kërkuar për të ndryshuar vendimmarrjen.

Pra, jo më kot reforma u parapri nga Vetingu në mënyrë që në sistem të sigurohen njerëz që janë rezistent ndaj joshjes.

Kjo është garancia më e madhe. Por dua të theksoj se të gjitha komunikimet e tyre dhe të familjarëve janë vazhdimisht në mbikëqyrje, vazhdimisht në monitorim, është një kërkesë e ligjit kjo”, tha Felaj.

Në lidhje me deklaratën e kryetarit të grupit parlamentarë të PS-së Taulant Balla që tha sot se SPAK duhet të ketë dosjen e parë të ish-kryeministrit Sali Berisha, Felaj tha se beson se Balla i referohet kompetencës që ligji përcakton për SPAK dhe kompetenca e saj lidhet qoftë me veprat që lidhen me krimin e organizuar, qoftë me veprat e korrupsionit të nivelit të zyrtarëve.

“Flasim jo vetëm për gjithë rrethin e zyrtarëve por dhe të ish-zyrtarëve, nisur dhe nga fakti se së fundmi gjykata ka kthyer çështjen e privatizimit të OSSH për hetim në prokurori, nga vjen dhe kjo deklaratë e zoti Balla”, tha Felaj.

“Të gjithë ata që kanë shkelur ligjin qofshin të mazhorancës apo të opozitës duhet të dinë se asnjë gjë nuk kalon aq lehtë, sepse një ditë do të përballesh me përgjegjësitë e tua dhe kjo të jetë e qartë për këdo që aspiron të punojë në administratë si zyrtarë”, theksoi ajo. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com