Loading...

Vetingu/ Shkarkohet nga KPK prokurori i Apelit të Tiranës, Edmond Hyka

Prokurori i Apelit të Tiranës, Edmond Hyka u shkarkua sot nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pas një seance dëgjimore ku u vunë në dukje probleme të pasurisë.

Hyka nuk ishte i pranishëm, por u përfaqësua në seancë nga avokati Jordan Daci. Ky i fundit pati kërkuar gjatë seancës dëgjimore shtyrjen e procesit për shkak të situatës së krijuar nga tërmeti, duke pretenduar se klienti i tij nuk mund të shkonte në shtëpi për të siguruar dokumentacionin.

Gjatë seancës dëgjimore të enjten më 19 dhjetor, KPK relatoi se kishte gjetur nga analiza financiare se Hykës i mungonin 18.2 milionë lekë për të justifikuar pasurinë. Nga relatimi rezultoi mungesë dokumentesh për 2.6 milionë lekë dhe 35 mijë euro të trashëguara nga babai.

Trupa gjykuese e KPK-së, e përbërë nga Xhensila Pine kryesuese, Olsi Komici relator dhe Brunilda Bekteshi anëtare dëgjoi më pas avokatin mbrojtës, Jordan Daci, i cili parashtroi se për shkak të situatës nga tërmeti Hyka nuk kishte mundur të shkonte në apartamentet në Durrës për të siguruar dokumentacion shtesë të kërkuar nga KPK. Ai po ashtu kërkoi shtyrje të seancës, kërkesë që u rrëzua nga Komisioni.

Edmond Hyka ka punuar si avokat nga viti 1998 deri në vitin 2005; kohë kur u emërua prokuror në Prokurorinë e Apelit të Durrësit. Në vitin 2006, Hyka u transferua në Prokurorinë e Apelit të Tiranës dhe vazhdon ta ushtrojë funksionin aty për 13 vjet./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com