Kryeministri Edi Rama tha sot nga Roma se presidenti francez, Emmanuel Macron ka një argument kur thotë se BE nuk funksionon me 27 apo 28, jo më me 34, por sipas tij, ajo që duhet të kuptohet më mirë është që problemi me zgjerimin nuk është as tek ne dhe as me Ballkanin.
Këto komente, kryeministri i bëri nga Roma pas samitit të Nismës së Europës Qendrore (CEI), që u mbajt në Itali i pyetur nga gazetarët sesa mund të presë Shqipëria për integrimin dhe për një mesazh ndaj Macron.
“Macron ka një argument. Unë besoj se është e domosdoshme që të jemi të hapur dhe duhet të kuptojmë që ai ka një argument. Sepse nuk është se ai nuk ka të drejtë kur thotë nuk funksionon me 27 apo 28, imagjino më shumë, me 34. Ka të drejtë, duhet ta bëjmë të funksionojë, por ajo që duhet të kuptohet më mirë është që problemi nuk është as tek ne dhe as me Ballkanin. Problemi është tek mënyra si funksionon Europa dhe ne nuk kemi se çfarë të bëjmë në këtë pikë sepse nuk jemi pjesë”, theksoi kryeministri Rama.
“Shqipëria është këtu, pret prej mijëra vitesh, mund të presë ende, por nuk është ky problemi. Ajo që duhet kuptuar është se Europa ka nevojë për Ballkanin Perëndimor, në të njëjtën mënyrë që Ballkani Perëndimor ka nevojë për Europën. Këtë Italia e ka kuptuar, shumë të tjerë e kanë kuptuar, por jo të gjithë. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të bëjmë durim”, theksoi Rama.
Në lidhje me pyetjen nëse presidenca kroate do të jetë e rëndësishme për afrimin dhe integrimin në BE, Rama theksoi se “Presidenca kroate përfaqëson një shoqëri dhe një shtet të ri të dedikuar tërësisht ndaj të ardhmes, europianizmit dhe në këtë pa dyshim që do të jetë një ndihmë”. /atsh