Loading...

“Të shkojmë bashkë aty ku është dhimbja”, Rama: I nisa mesazh personal Bashës menjëherë pas tërmetit, nuk mora përgjigje

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se i ka dërguar një mesazh personal në telefon kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha menjëherë pas tërmetit të 26 nëntorit, por nuk ka marrë përgjigje.

Duke folur në një intervistë televizive në sallën e Hartave në Kryeministri, të dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit, Rama tha se, “i kam shkruar Lulzim Bashës një mesazh jo publik në telefonin e tij dhe i kam thënë pak a shumë që mendoj se është e mençur që bashkë të shkojmë aty ku është dhimbja. Se në fund të fundit çfarë rëndësie kanë të gjitha të tjerat. Njerëzit kanë humbur njerëz, kanë nevojë për ngushëllim dhe nga kush e presin këtë ngushëllim, e presin nga ne. Njerëzit kanë humbur shtëpitë. Njerëzit kanë humbur gjithçka. Mbi të gjitha nuk duhet të humbin sensin e përkatësisë në një vend ku nuk janë vetëm”.

“Nuk kam marrë përgjigje. i kam bërë edhe dy thirrje publike opozita ka qenë korrekt. Ok dakord. Domethënë është e vërtetë Lulzim Basha është përpjekur që të mos dalë tepër, kaq ka bërë. Po mund të bënte shumë më tepër dhe duhet të bënte. Ishte një rast jo për të bërë marrëveshje nëse s’do të bëjë marrëveshje, as për të bërë politikë, por për të ardhur bashkë me mua dhe për të thënë kjo gjë është përtej politikës”, u shpreh Rama.

“Unë kam parë dhe një mesazh që ka bërë. E kam pëlqyer e kam bërë retweet. Dhe do të ishte në të mirën e të gjithëve dhe në të mirën e tij dhe në të mirën e partisë së tij. Ndërkohë që Lulzim Basha përpiqet të mos bëhet i tepërt janë të tjerët që gjuajnë në të katër anët”, tha Kryeministri Rama.

“Nuk e kam pasur mendjen as tek sondazhet as tek popullariteti. E kam pasur vetëm tek një gjë që siç unë u ndjeva vetëm në momentin e parë dhe thashë o Zot këtu ka ndodhur diçka që nuk do ta kapërcej dot dhe kërkova ndihmë, ashtu nuk prita që të më kërkonin ndihmë njerëzit që kishin nevojë për mua”, tha Rama. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com