Loading...

Paketa antishpifje, Basha: Atentat kundër fjalës së lirë, Meta të mos e dekretojë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha reagoi pas miratimit në Kuvend të paketës antishpifje, duke theksuar se ajo vjen në kulmin e një krize të rëndë ekonomike, të një gjendje të jashtëzakonshme, kur mijëra familje janë në të ftohtë, pa strehë, pa ujë, pa drita, pa ngrohje.

“Sot kur po zbardhet përditë e më qartë përgjegjësia e zyrtarëve të kësaj qeverie për 24 jetët e humbura në Thumanë, me urgjencë miratohet ligji kundër fjalës së lirë.

Sot kur priten te fillojnë hetimet për shitblerjen e votave në Durrës dhe Dibër, për mega skandalin e Unazës së Re, për dështimin e qeverisë në menaxhimin e krizës së tërmeteve të 21 shtatorit dhe 26 nëntorit, miratohet me urgjencë ligji që do ti ndalojë portalet të publikojne këto fakte”, tha Basha.

Sipas tij, miratimi i ligjit kundër fjalës së lirë u bë me urgjencë sot sepse qeveria Rama po përgatit vjedhjen e radhës, kësaj here mbi rrënojat e tërmetit të 26 nëntorit.

“I bëj thirrje Presidentit të Republikës të mos e dekretojë këtë atentat kundër fjalës së lirë që rikthen ligjin famëkeq të diktatures për agjitacion e propagandë. Ky akt i turpshëm dhe kriminal e çon vendin dhe qytetarët shqiptarë shumë hapa pas në rrugën e integrimit europian dhe sjell pasoja të rënda për të ardhmen e tyre”, tha Basha. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com