Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë sot në mbledhjen e parë të Këshillit Koordinues të Diasporës ku vlerësoj solidaritetin e diasporës me fatkeqësinë natyrore të 26 nëntorit.
Në takim ishin të pranishëm Kryeministri Rama, Ministri i Shtetit për Diasporën Majko, ministrat e kabinetit qeveritar Çuçi, Margariti, Klosi, anëtarë të Këshillit, deputetë, drejtuesi i mbledhjes dhe anëtari i Këshillit Bashkiak të Nju-Jorkut, zoti Mark Gjonaj, si dhe përfaqësues të diasporës shqiptare.
Në fjalën e tij, Presidenti Meta shpreh se “Ky Këshill ka një rëndësi të veçantë pasi dëshmon përfshirjen e përfaqësuesve të diasporës në struktura ekzekutive që merren drejtpërdrejtë me identifikimin real të problematikave, me propozimet dhe zgjidhjen e tyre, si edhe në hartimin e strategjive mbi marrëdhënien me diasporën. Uroj që ky takim i parë i Këshillit Koordinues të Diasporës të vijojë me një sërë arritjesh në zgjidhjen e këtyre problematikave që ndesh diaspora jonë, por edhe mbi masat konkrete të qeverisë shqiptare në bashkëpunim edhe me diasporën në lidhje me situatën e rëndë të shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit!”, tha ai.
Presidenti Meta vlerëson rolin e diasporës për solidaritetin me për fatkeqin e 26 nëntorit
“Shfrytëzoj këtë rast të falënderoj të gjitha komunitetet e diasporës në mbarë botën për ndihmën dhe për mesazhet e solidaritetit për fatkeqësinë natyrore që goditi vendin tonë më 26 nëntor. Shoqata dhe individë të shumtë të diasporës sonë, jo vetëm nga vendet fqinje, por edhe nga Amerika, Kanadaja e deri në Australi, kanë mbledhur ndihma dhe të ardhura në mbështetje të njerëzve të prekur nga tërmeti, duke treguar kështu një solidaritet të rrallë ndaj vendit dhe bashkatdhetarëve të tyre.”, theksoi ai.
Po ashtu Meta tha se “Kjo fatkeqësi le të shërbejë edhe si moment reflektimi, rindërtimi, rimëkëmbjeje dhe pajtimi për të forcuar bashkëpunimin në interes të qytetarëve tanë, të vendit tonë, por edhe të kohezionit tonë kombëtar”.
Presidenti Meta ka vlerësuar rolin e diasporës në vite në shërbim të vendit
“Historia e Shqipërisë na mëson se në momentet më kyçe dhe më vendimtare të vendit, diaspora ishte shtysa kryesore në arritjen si të Pavarësisë së Shqipërisë’ ashtu edhe në sigurimin e lirisë dhe në avancimin e çështjes kombëtare. Diaspora jonë e hershme, komuniteti arbëresh ruajti për pesë shekuj gjuhën shqipe dhe figurën e Skënderbeut, dhe ishin nismëtarë të Rilindjes Kombëtare, e cila çoi na çoi edhe drejt Pavarësisë. Një kontribut të madh dhe të vyer në të mirë të vendit tonë jep edhe diaspora e re e pas viteve 90-të.Tashmë Diaspora shqiptare ka hyrë në një etapë të re. Shumë përfaqësues të saj janë pjesë e rëndësishme në institucionet shtetërore qendrore dhe vendore në shtetet ku ata jetojnë”, tha ai. /atsh