Në Dita Kombëtare e Diasporës në Shqipëri u zhvillua mbledhja e parë e Këshillit Koordinues të Diasporës.
Mbledhja u hap nga Ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko, i cili në fjalën e tij, falenderoi anëtarët e Këshillit për kontributin e tyre të deritanishëm.
Më tej, ministri Majko theksoi se Këshilli Koordinues i Diasporës është një strukturë e re, e cila funksionon për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar dhe synon mbrojtjen dhe forcimin e marrëdhënieve me Diasporën shqiptare.
“Diaspora shqiptare jep një kontribut me rëndësi në zhvillimin e vendit të origjinës në të gjitha fushat përfshirë arsimin, kulturën dhe ekonominë”, tha ministri.
Mbledhja u drejtua nga anëtari i Këshillit, Mark Gjonaj, i cili u ndal tek rëndësia e Diasporës shqiptare në fusha të ndryshme të vendit dhe angazhimin që duhet të kenë anëtarët e këtij Këshilli në forcimin e marrëdhënieve të Diasporës me institucionet shtetërore shqiptare.
Takimi vijoi me përshëndetjet e Presidentit të Republikës së Shqipërisë,. Ilir Meta dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të cilët theksuan rolin e Diasporës si thesar i çmuar i Shqipërisë dhe solidaritetin dhe kontributin e saj me familjet e prekura nga tërmeti.
Gjithashtu, pjesë e takimit ishte edhe Drejtuesi i Operacionit të Emergjencës rreth situatës së pas tërmetit, Bledi Çuçi, i cili bëri një përmbledhje të shkurtër të menaxhimit të situatës pas tërmetit në Shqipëri, përfshirë shpëtimin, trajtimin shëndetësor, strehimin e qytetarëve dhe vlerësimin e dëmeve.
Ky takim do të vazhdojë përgjatë gjithë ditës së sotme për të vijuar diskutimin me fokus çështjet e Diasporës shqiptare./atsh