Revista prestigjioze “The New York” ka renditur Shqipërinë ndër 10 destinacionet më magjepsëse të këtij viti.
Kjo revistë e rendit Shqipërinë mes destinacioneve të tjera si Maroku, Greqia dhe Finlanda duke e cilësuar vendin tonë si parajsën e radhës në Europë për adhuruesit e artit nga e gjithë bota.
Këtë vit, New York Times ka përshkruar jo vetëm distanca të mëdha, por edhe hapësira kohore, duke vizituar vende ku u krijuan disa nga kulturat më të lashta në botë, nga Lugina e Draa-së në Marok, e cila dikur sundohej nga mbretërit Berber, deri në Itaka të Greqisë, për të cilën thuhet se ka qenë atdheu i dashur i Odisesë . Ashtu si ai, një shkrimtar arriti të gjejë rrugën e kthimit deri atje, ndërsa dikush tjetër i kaloi ditët duke bërë not në ujërat blu të thellë përreth bregdetit të egër të Milos.
Edhe të tjerët gjetën bukuri dhe paqe në ishuj, përfshirë ishujt e largët rustikë Aland në Finlandë, ku gjithkush ka mundësi të takojë shpendë të egër dhe kuajt që kullosin.
“Pastaj ka nga ato destinacione, si Tirana, Shqipëria e cila është gati të shndërrohet në parajsën e radhës në Europë për adhuruesit e artit nga e gjithë bota”, shkruan “The New York Times”.
Revista shkruan se, Shqipëria megjithëse është përtej detit nga thembra e Italisë, mund të duket si një nga kufijtë e fundit të Europës.
“Ndërsa vija e saj bregdetare 265 milje e gjatë tërheq pushuesit, kryeqyteti i vendit, Tirana, po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një qendër kozmopolitane ku përplasen epokat. Shqipëria qëndroi mbi katër shekuj nën sundimin e Perandorisë Osmane përpara se të bëhej një shtet komunist deri në vitin 1991. Qysh atëherë, shumë vendas janë rikthyer dhe është vetëm çështje kohe që të tjerë të rikthehen në vendin e tyre. Këtu do të gjeni rreshta me pemë akacie dhe vreshta në Fermën Uka, jashtë qytetit, ku mund të shijoni një pamje të Parkut Kombëtar të Malit Dajt nga distanca”, thuhet në shkrim. /atsh