Konsulli i Përgjithshëm i Greqisë në Shqipëri, Lambros Kakissis, i shoqëruar nga Prefekti i Gjirokastrës, Astrit Aliaj, zhvilluan sot një turne vizitash në shkollat 9 – vjeçare dhe të mesme në qarkun e Gjirokastrës.
Në këtë vizitë Kakissis dhe Aliaj u pritën në Tepelenë nga përfaqësues të bashkisë, Zyrës Arsimore, si dhe drejtues të shkollave përkatëse.
Përmes këtij takimi u shpreh miqësia e mirë midis dy vendeve, mirënjohja ndaj solidarizimit të qeverisë dhe popullit grek ndaj fatkeqësisë që përfshiu vendin tonë nga tërmeti i 26 nëntorit, si dhe mbështetja e vazhdueshme qeverisë fqinje për çeljen e negociatave të vendit tonë me Bashkimin Europian.
Me këtë rast me mbështetjen e Ministrisë së Brendshme Greke u shpërndanë disa pako me dhurata me mjete kancelarike për shkollat, si dhe sete sportive për Qendrën Multifunksionale të Aktiviteteve Sportive në Tepelenë.
Këto janë hapat e parë në ngritjen e urave të komunikimit dhe zhvillimit midis vendeve, ku në të ardhmen do të shihet çdo hapësirë për mbështetje jo vetëm në aspektin material, por ç’ka është më e rëndësishmja në aspektin pedagogjik dhe shkëmbimit të eksperiencave midis shkollave të nivelit parauniversitar.
Kakissis në fjalën e tij, nuk ngurroi të përshëndeste punën serioze dhe kushtet mjaft të mira të mësimdhënies për gjimnazin “Abaz Shehu”, duke e krahasuar atë me shkollat më të mira të shtetit grek./atsh