Sidnei është përballur me një urgjencë të shëndetit publik për shkak të tymrave toksikë që lidhen me zjarret që kanë përfshirë qytetin më të madh australian që prej disa javësh, njoftuan organizatat profesioniste të mjekësisë.
Qindra zjarre në pyje, që lidhen veçanërisht me ndryshimin klimatik, kanë përfshirë Australinë që prej muajit shtator.
Më shumë se 20 organizata profesionale mjekësh, veçanërisht “Royal Australasian College of Physicians”, që numëron 25 000 mjekë dhe stazhierë, publikuan sot një komunikatë të përbashkët duke i kërkuar qeverisë të luftojë kundër kësaj ndotje atmosferike toksike.
“Ndotja e ajrit në Uellsin e Ri të Jugut është një urgjencë shëndetësore publike”, nënvizoi kjo Aleancë për klimën dhe shëndetin.
“Tymi i ardhur nga zjarret ka shkaktuar një ndotje ajri deri në 11 herë më të lartë duke e çuar në një nivel të vlerësuar të rrezikshëm, në disa pjesë të Sidneit dhe Uellsit të Ri të Jugut”, sipas komunikatës.
“Ky tym është i rrezikshëm për shkak të niveleve të larta të molekulave PM 2,5”, vijon komunikata.
Shërbimet shëndetësore të këtij shteti kanë regjistruar një rritje prej 48% të numrit të personave që kanë shkuar në urgjencë për probleme respiratore gjatë javës që përfundoi më 11 dhjetor, në raport me një mesatare pesë-vjeçare.
Aleanca i ka kërkuar qeverisë të marrë masa urgjente për të reduktuar emetimet e gazit me efekt serrë duke konfirmuar se ndryshimi klimatik ka rënduar këto zjarre me efekt shkatërrues në shëndetin e njerëzve./ /atsh