Loading...

Reportazhi i gazetarit të njohur polak/ Te shqiptarët pashë besim e kurojo pas tërmetit, Shqipëria një nga thesaret e pazbuluara të Ballkanit

“Besimi dhe kurajoja që pashë tek shqiptarët më kujtoi që kjo forcë dhe aftësi për të përballuar vështirësitë është ajo që na bën njerëzorë”, shkruan në një reportazh për Shqipërinë e pastërmetit të 26 nëntorit, gazetari i njohur polak, Stefan Tompson.

“Ndërsa udhëtonim përgjatë maleve dhe pyjeve dhe vështronim flamurin shqiptar që valëvitej me krenari, shqiponja e zezë me dy krerë në atë flamur tundej në erë, kuptova sa shumë ka akoma për të parë dhe zbuluar në Shqipëri dhe sa shumë për të ndarë dhe mësuar nga shqiptarët. Është një nga thesaret e pazbuluara të Ballkanit dhe në këtë moment të vështirë për ta është një vend i cili nuk duhet lënë në harresë”, thotë gazetari në reportazhin e tij.

Ai kaloi disa ditë në Shqipëri, ku u bë dëshmitar i pasojave të tërmetit që goditi vendin tonë.

“Tragjedia është një pjesë e pashmangshme e përvojës njerëzore, por është aftësia jonë për të kapërcyer fatkeqësinë që na përcakton”, shkruan ai, ndërsa publikon reportazhin e tij nga Shqipëria.

“Kohët e fundit kalova pak ditë në Shqipëri, një vend i bukur prej tre milion banorësh në Ballkan, që ka kaluar një varg shkatërrimesh nga Perandori të vdekura, pushtete të së shkuarës, populli i të cilit ka qendruar i bashkuar dhe ka një histori tragjike, të lavdishme dhe të mahnitshme. Së fundi, u godit nga një tërmet, i cili vrau me dhjetra njerëz, plagosi qindra të tjerë dhe la të pastrehë mijëra në qytetin e vogël të Durrësit në bregun Adriatik. Teksa isha atje duke ecur në rrënoja dhe duke biseduar me të mbijetuarit, u rikujtova për brishtësinë e jetës dhe për faktin që dhimbja dhe tragjedia janë gjërat e vetme të sigurta në ekzistencën tonë këtu në Tokë. U preka veçanërisht kur një burrë më tregoi një album fotografik të fqinjëve të tij tashmë të pajetë, të gjetur në rrënoja. E megjithatë në dhimbjen dhe vuajtjen e tij, pashë shpresë, kurajo, forcë dhe aftësi për ringritje. Një poezi e vjetër nga poeti shqiptar Pashko Vasa më erdhi ndërmend: “Çohu Shqiptar prej gjumit çohu,

Të gjithë si vëllazën në nji besë shtërngonju,

E mos shikoni kisha e xhamia,

Feja e shqiptarit asht shqiptaria.”

Ky besim dhe kurajo që pashë tek shqiptarët më kujtoi që kjo forcë dhe aftësi për të përballuar vështirësitë është ajo që na bën njerëzor. Ndërsa udhëtonim përgjatë maleve dhe pyjeve dhe vështronim flamurin shqiptar që valëvitej me krenari, shqiponja e zezë me dy krerë në atë flamur tundej në erë, kuptova sa shumë ka akoma për të parë dhe zbuluar në Shqipëri dhe sa shumë për të ndarë dhe mësuar nga shqiptarët. Është një nga thesaret e pazbuluara të Ballkanit dhe në këtë moment të vështirë për ta është një vend i cili nuk duhet lënë në harresë”. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com