Loading...

Çfarë parashikon ligji i ri për mediet, Ulqini për ATSH-në: Rol rregullator, nuk cenohet në asnjë rast liria e shtypit

“Ligji i ri për mediet synon të rregullojë një sektor të parregulluar më parë, që janë publikimet elektronike ose ndryshe portalet dhe në asnjë rast nuk cenon lirinë e shtypit”.

Kështu deklaroi sot në një intervistë për ATSH-në, anëtari i komisionit të medies, deputeti i Partisë Socialiste, Musa Ulqini.

Ulqini tha se “projekti në fjalë që ka ngjallur kaq shumë diskutime, ka si objekt të tij dhe synon që të rregullojë për herë të parë në Republikën e Shqipërisë publikimet elektronike”.

Sot, tha ai, Shqipëria ka një ligj që rregullon medien e shkruar, ka një ligj që rregullon mediet audiovizive, pra televizonet dhe radiot, dhe ky projektligj synon të rregullojë një sektor të parregulluar, që janë publikimet elektronike ose portalet.

“Edhe në Shqipëri portalet janë bërë tashmë një faktor shumë i rëndësishëm i informimit të publikut, që ka sjellë vërtetë një gjë të re në mënyrën se si informohet dhe i ka dhënë një fuqi më të madhe pluralizmit të shtypit. Por edhe kjo gjë ka nevojë për rregullime”, tha Ulqini.

Ai garantoi se “ky nuk është një ligj kundër lirisë të medies, por përpiqet të rregulloj sektorin sipas disa standardeve demokratike mbi mënyrën se si informohet publiku nga portalet”.

Ulqini sqaroi se këtu nuk bëhet fjalë për “Facebook-un” apo mënyrën se si qytetarët e përdorin teknologjinë e re, por bëhet fjalë për portalet të cilat duhet të respektojnë disa standarde që tashmë janë shumë të njohura dhe kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, me privatësinë, me paanësinë dhe me të drejtën e autorit apo transparencën etj.

“Ligji i ri përpiqet të vendos disa rregulla të qarta në mënyrën e funksionimit të një sektori që është shumë i fuqishëm, që ka një rol shumë të madh në shoqëri sot dhe që e ka ndikuar për mirë padiskutim pluralizimin, por që ka edhe probleme që duhen rregulluar me standarde demokratike”, tha Ulqini.

I pyetur se çfarë parashikon ligji kundër lajmeve të rreme (Fake News), Ulqini tha se ligji kërkon pikësëpari formalizimin e sektorit, pra që të gjitha portalet të jenë të regjistruara me të dhëna të sakta si: adresa e selisë, të punësuarit etj. Një pjesë e portaleve sot, sipas tij, nuk dihet se ku i kanë selitë dhe nga ku publikojnë.

Një pikë e rëndësishme që parashikohet në këtë ligj, sipas Ulqinit, “ka të bëjë me detyrimin që kanë portalet që çdo vit të paraqesin në AMA një raport për paratë me të cilat janë financuar dhe mënyrën se si janë shfrytëzuar këto financime”.

“Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme sepse është një nga kërkesat e gjithë institucioneve europiane që monitorojnë Shqipërinë, që të bëhen të njohura mënyra se si financohen portalet. Është shumë e rëndësishme që medie të mos ketë financime që vijnë nga para të pista të krimit, nga politika, nga biznese për të organizuar një luftë të pandershme konkurrence, ose dhe nga jashtë, nga burime të cilat mund të cenojnë edhe sigurinë kombëtare”, tha ai.

Për deputetin socialist, ky ligj vendos disa rregulla dhe i jep garanci shumë të madhe qytetarit, që kur një portal ka një ‘Fake News’, në një kohë të shkurtër ai të paraqesë me shkrim kundërshtimin e tij dhe portali nëse e gjykon të arsyeshme e publikon përgënjeshtrimin. “Por nëse portali nuk bie dakord në këtë mes futet AMA, Këshilli i Ankesave, që e shqyrton kërkesën e qytetarit dhe kur e gjykon që qytetari ka të drejtë e detyron portalin ta publikojë përgënjeshtrimin”, sqaroi Ulqini.

Ai shtoi se “ligji përpiqet të vendos rregulla kundër ‘Fake News’ dhe të gjitha lajmeve që cenojnë të drejtat e fëmijëve, dezinformojnë publikun, cenojnë apo nuk respektojnë të drejtën e autorit”.

“Në rast se një portal transmeton pornografi për fëmijë, gjëra që lidhen me terrorizmin dhe gjëra që cenojnë në mënyrë flagrante sigurinë kombëtare, atëherë AMA ka të drejtë që t’i kërkojë që brenda disa orëve ta heqë nga portali, dhe nëse nuk reagon atëherë i drejtohet AKEP-it dhe e bllokon portalin”, tha Ulqini.

Ulqini po ashtu hodhi poshtë të gjitha pretendimet se ligji cenon lirinë e medias. “Ligji i ka specifikuar shumë qartë gjërat dhe në këtë rast asnjë nuk është kundër. Vetë drejtuesit e portaleve janë dakord që të vendosen rregulla, por natyrisht që reagojnë për mungesë të informimit, luftës politike, por edhe për shkak se preken disa interesa, sepse në shumicë ata që e kundërshtojnë kanë portale vetë dhe është një sektor informal”, tha Ulqini.

Ai shprehu garancinë që ligji është një përpjekje për të vendosur rregulla demokratike që i shërbejnë edhe qytetarëve, edhe atyre që punojnë në ato portale, sepse sot të gjithë gazetarët që punojnë nëpër portale, punojnë në të zezë.

Ulqini hodhi poshtë edhe pretendimet se propozimet, sugjerimet, kërkesat, apo ankesat që po bëhen si nga ndërkombëtarët edhe nga shqiptarët nuk po dëgjohen.

“Ne si komision kemi bërë disa seanca dëgjimore, kemi ftuar të gjithë sidomos ata që i kundërshtojnë, kemi dëgjuar me vëmendje ankesat e tyre dhe tani grupi i ekspertëve, unë jam një nga relatorët e këtij projektligji pasi janë disa relatorë, me ekspertizën juridike të parlamentit, ekspertët e Këshillit të Ministrave që kanë hartuar projektin po i vlerësojmë dhe konsiderojmë të gjitha shqetësimet që kanë ata të cilët janë kundër. Kjo lidhet me sasinë e gjobave, rolin e Këshillit të Ankesave dhe elementë të tjerë që kanë të bëjnë me raportin mes portalit, qytetarit dhe shtetit”, tha Ulqini. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com