Loading...

Humbi nënën, babain e vëllain nën rrënoja/Rama në shtëpinë e re të Aleksit dhe Klarës: Mbështetje për të ndërtuar familjen e tyre të re

Kryeministri Edi Rama ishte sot në shtëpinë e re të familjes Çupi në Kamëz, ku pas tërmetit, Aleksi, i biri i kësaj familje është i vetmi që mbijetoi, pasi tërmeti i mori nënën, babain e vëllain.

Në shtëpinë e re të familjes Çupi, Rama tha se u realizua brenda 15 dhjetorit akomodimi i njerëzve të cilët janë prekur më rëndë nga tërmeti.

Gjatë vizitës së tij në Kamëz, Kryeministri Rama shoqërohej dhe nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe kryetari i bashkisë Kamëz, Rakip Suli.

Rama gjithashtu u shpreh se puna do të vijojë, pasi janë shumë shtëpi për t’u rindërtuar. Gjithashtu ai shtoi se gjatë kësaj periudhe kemi takuar njerëz të mirë dhe gatishmëria për t’i ardhur në ndihmë kujtdo ka qenë e madhe.

“Janë gjithë ato shtëpi për t’u rindërtuar, por të paktën ata që humbën shtëpinë dhe jo të afërm e kanë më të lehtë. Një nga gjërat që kemi patur këto kohë është që kemi takuar njerëz të mirë. Në ditët me diell të gjithë i shajnë hajdutë, por të gjithë mjekët, forcat e policisë dhe gjithë ministrat që punojnë me mua, pavarësisht se më takon mua të dal në televizor, të gjithë kanë punuar ditë-natë. Të gjithë kanë bërë maksimumin”, – u shpreh Rama.

Kryeministri gjithashtu tha se, edhe vetë ai nuk e kishte menduar ta përballonte këtë situatë mjaft të vështirë që kaloi vendi gjatë atyre ditëve. Rama theksoi se nuk e kishte menduar që brenda 10 ditësh do të akomodonin të gjithë njerëzit që kishin humbur shtëpitë e tyre.

Rama u shpreh se, “kur ishte momenti i parë që pashë gjendjen thashë: o Zot më ndihmo, se si do e përballoj unë këtë situatë, sepse është më e madhe se forcat tona. As unë nuk e kam menduar që për 10 ditë do ikte problemi kryesor se ku do shkojnë njerëzit, sepse ishin mijëra njerëz rrugëve. Se këtu një përmbytje bëhej dhe ngelnin njerëzit nëpër çadra shtatë vjet. Nuk ta merrte mendja që do akomodoheshin nëpër hotele me 5 yje e në shtëpi me qira të gjithë, jo se është ndonjë çudi, po u bë”.

“Tani po merremi dhe me ata në fshat, se nuk duan të lëvizin. Ata po qëndrojnë atje në çadra dimërore dhe do t’u bëjmë dhe shtëpitë. Kemi gjetur dhe një mundësi t’i bëjmë shpejt shtëpitë, dhe shtëpi fantastike, shumë herë më të mira se i kishin, dhe që nuk pyesin as për tërmet, erë edhe shi”, – tha Kryeministri Rama.

Ministrja Manastirliu e pyetur nga Kryeministri Rama mbi gjendjen shëndetësore të Aleksit u shpreh se, “sot e kemi nxjerrë nga spitali dhe gjendja e tij paraqitet e mirë. Gjithashtu do t’i sigurojmë dhe fizioterapinë, deri sa të rikuperohet plotësisht. Problemi që ka patur Aleksi në fillim ishte më i madh se problemi me këmbën: ishte ai i dëmtimit të mëlçisë, i cili e rrezikonte, por Aleksi me kurajon e tij e kaloi dhe këtë situatë pa ndërhyrje operatore. Tani thjesht është rikuperimi mbas gjithë asaj traume që ka kaluar, dhe shumë shpejt do t’i kthehet normalitet në punë”.

Aleksi gjatë bisedës me Kryeministrin u shpreh se është më mirë dhe se ka vetëm pak problem me këmbën, që shpreson t’i kalojë. Aleksi gjithashtu u shpreh për fatkeqësinë që i ndodhi se, gjërat e natyrës nuk i ndalojmë dot dhe se çfarë është e shkruar do bëhet, duhet kthyer dhimbja në forcë.

Familjarët e Aleksit e falënderuan Kryeministrin Rama, në radhë të parë si njeri, dhe pastaj si drejtues shteti, që ka bërë të pamundurën me gjithë ministrat, dhe në veçanti falënderuan kryetarin e bashkisë Kamëz, Rakip Sulin, i cili u është gjendur pranë që në momentin e parë që kërkuan ndihmë.

Aleksi, së bashku me Klarën, të fejuarën e tij, me besim e kurajo do të vazhdojnë përpara duke e ringritur sërish familjen në shtëpinë e tyre të re./atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/808172249603760/?t=0

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com