Në “Air Albania Stadium” u luajt mbrëmjen e sotme për herë të parë në historinë e klubeve shqiptare të futbollit, derbi “Partizani -Tirana”. Është ky derbi i 155-të midis këtyre dy superklubeve shqiptare, të cilat njihen jo vetëm për trofetë e shumta që kanë fituar gjatë historisë së tyre, por edhe për tifozeritë e zjarrta, me spektaklin që ato dhurojnë në shkallët e stadiumit.
Nuk kishte si të mos mungonte edhe në hapjen e këtij derbi të veçantë, i cili luhet në impiantin e ri të futbollit në një kohë të trazuar jo vetëm për futbollistët e Superiores, por edhe për gjithë shqiptarët, pas tërmetit të fuqishëm që goditi vendin më 26 nëntor.
Kjo kryendeshje u parapri pikërisht me heronjtë e heshtur: Ushtria, FNSH-ja, RENEA, zjarrfikësja dhe urgjenca mjekësore që morën pjesë në operacionet e kërkim-shpëtimit, të cilët parakaluan para dy tifozerive duke marrë duartrokitjet e tyre në tapetin e blertë të “Air Albania Stadium”. Heshtje e nderim për humbjet njerëzore nga tërmeti.
Edhe kryebashkiaku Erion Veliaj iu bashkua këtij nderimi: “Tirana jonë është mirënjohëse! Faleminderit tifozëve të derbit të kryeqytetit Partizani-Tirana për respektin ndaj ekipeve të zjarrfikësve, mjekëve e policëve që shërbyen gjatë ditëve të emergjencës së tërmetit. Respekt!”, shprehet Veliaj.
“Muret do ngrihen sërish, engjëjt do të kujtohen përgjithmonë”! Kjo ishte banderola e tifozëve të ekipit të Partizanit në nderim të viktimave të tërmetit tragjik.
Klubi i “Partizanit” ka njoftuar se gjysmat e arkëtimeve nga biletat do të shkojnë në ndihmë të personave të prekur nga fatkeqësia natyrore.
“Tërbimi i tokës, gjakun na zgjoi,
lot për kë iku mes nesh më s’qëndron,
po dhimbja e fortë na dha pakëz liri,
sërish e tregut Kosovën-Shqipni!” është pankarta e tifozëve të Tiranës, “Tirona Fanatics”./atsh
https://www.facebook.com/Agjencia.Telegrafike.Shqiptare/videos/2502495686693454/?t=0