Loading...

Basha, thirrje qytetarëve: Mos u ktheni në shtëpitë e dëmtuara

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u bëri thirrje sot qytetarëve që të mos rrezikojnë jetën e tyre dhe të fëmijëve të tyre duke u kthyer në shtëpitë e dëmtuara.

Sipas Bashës, “dy javë e gjysmë nga tërmeti i 26 nëntorit, ende qytetarët në fshatrat e Durrësit dhe kudo në zonën e goditur, nuk kanë asnjë qartësi se ç’do të bëhet me ta”.

“E gjithë vëmendja e qeverisë është tek propaganda për të mbuluar dështimin, neglizhencën kriminale që mori 51 jetë njerëzish. Situata është e rrezikshme për shumë familje, të cilat në pamundësi të një strehe, po rikthehen në shtëpitë e tyre që nga verifikimet e para janë konsideruar të pabanueshme, duke rrezikuar jetën e këtyre familjeve”, tha Basha.

Ai tha se “nga shteti nuk është kujtuar askush t’u çojë një çadër, apo ushqimet më minimale, duke i detyruar të flenë jashtë, apo në rastin më të mirë, te miq a të afërm”.

“Ky dështim po na shtyn drejt një krize humanitare. Në vend të vërtitjes si korbi nëpër gërmadha, duhet urgjent të alokohen fonde për strehimin dhe ushqimin e çdo fëmije, çdo prindi, çdo nëne dhe babai, çdo pensionisti në nevojë”, tha Basha.

Ai kërkoi që të akordohen menjëherë për qytetarët e goditur nga tërmeti 150 milionë dollarët që Ministri i Inceneratorëve dhe Rrugës së Florinjtë, prapë ua la oligarkëve me buxhetin që sapo miratuan fshehtas 1 orë më parë.

“Si mund të lihen qytetarët në mëshirën e fatit, ndërsa paratë e taksave të tyre shkojnë në xhepat e 10 oligarkëve dhe qeveritarëve të lidhur me ta? Nuk ka dështim dhe paaftësi më të kobshme për një qeveri, që 17 ditë pas tërmetit nuk e di ende sa qytetarë ka të pastrehë, pa ushqim, pa asnjë ndihmë, sa banesa ka të dëmtuara dhe jashtë funksioni. Kjo neglizhencë dhe ky dështim kushtojnë jetë”, tha Basha./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com