Loading...

Rama në Thumanë: Brenda pranverës së vitit që vjen do të ndërtohen shtëpitë e dëmtuara

Kryeministri Edi Rama u rikthye sot në Thumanë, nga ku premtoi se brenda pranverës së vitit që vjen do të ndërtohen shtëpitë, si dhe e gjithë infrastruktura.

Kryeministri tha se ka nisur puna duke krijuar konceptin si dhe identifikuar tokën ku do të bëhen ndërtimet.

Rama ishte i shoqëruar nga kreu i fondacionit “Firdeus”, Elvis Naçi, fondacioni i të cilit ka mbledhur rreth 7 milionë euro, të ardhura që do të shkojnë për ndërtimin e shtëpive për banorët e Thumanës.

“Ka nisur puna, arkitektët janë në terren, kanë filluar të shikojnë konceptin e parë. Kemi identifikuar pronat, çfarë është private dhe çfarë është shtet”, – u shpreh Kryeministri.

Kryeministri, po ashtu, theksoi se lagjja e re që do të ndërtohet do të ketë të gjithë infrastrukturën e nevojshme, përfshirë rrugët, kopshtin, shkollën dhe qendrën shëndetësore.

Ai bëri të ditur se do të angazhohet një grup arkitektësh të rinj shqiptarë për të bërë modelin e shtëpive, duke e lidhur atë edhe me traditën shqiptare. Kusht, tha ai, do të jetë vendosja e banorëve në një zonë dhe jo të shpërndarë sipas vendit ku kanë pronat.

Kryeministri theksoi se nuk do të ndërtohet në zonën ku janë shembur shtëpitë nga tërmeti.

Rama vuri në dukje se zona ka një potencial të madh.

“Është një zonë me potencial të madh, të jashtëzakonshëm, pasi i jep vlerë edhe liqeni. Po të bëhet një rregullim i bukur bëhet një kryevepër dhe mund të tërheqë edhe vizitorë, duke ndihmuar edhe ekonominë lokale”, – tha Rama./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com