Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, inspektoi sot punimet për rikonstruksionin e shkollës 9 vjeçare “24 maji”, ku theksoi se “me një fond prej 1 miliard lekë të vjetra po bëhet i mundur rikonstruksioni i shkollës, një kontribut i qeverisë dhe bashkisë”.
“Kjo shkollë ka një numër të lartë nxënësish dhe ndodhet në qendër të qytetit të Vlorës. Një nga kërkesat e hershme të mësuesve, banorëve të kësaj zone, natyrisht edhe të nxënësve ka qenë një shkollë e rikonstruktuar, ashtu si modelet pozitive të të gjitha shkollave të rikonstruktuara në Vlorë”,- theksoi Leli.
Kreu i bashkisë së Vlorës u shpreh se “janë hequr të gjitha suvatë e vjetra, çatia, janë ruajtur vetëm muret, është bërë izolimi termik i godinës, janë bërë instalime të reja elektrike dhe hidraulike. Është bërë ndërrimi total i gjithë çatisë së shkollës. Me iniciativën e mësuesve të edukimit fizik në këtë shkollë është ndërhyrë edh në palestër”.
Sipas tij, palestra është pak e ulët në krahasim me standardet e palestrave të tjera që ne kemi realizuar në të gjithë territorin e bashkisë së Vlorës dhe duke ndjekur modelin e palestrës së shkollës “Ismail Qemali” do të fusim në buxhetin e 2020 një vlerë shtesë për të restauruar dhe ngritur palestrën e kësaj shkolle.
“Përveç rikonstruksionit përreth shkollës ka oborre të konsiderueshme, të cilat do të përfshihen në rikonstruksion, gjelbërim, ndriçim dhe trotuare në të gjithë pjesën rreth e rrotull. Në pjesën mbrapa shkollës do të ketë një fushë basketbolli dhe futbolli në natyrë.
Kam kërkuar nga inxhinierët e zyrës së Urbanistikës në bashkinë e Vlorës që rikonstruksioni i palestrës i mbuluar me panele sanduiç siç kemi vepruar në shkollën “Ismail Qemali” të ketë mundësitë të vendosen edhe panele të tejdukshëm që të garantojnë ndriçimin me dritë natyrale, që të kemi një eficencë më të mirë të energjisë elektrike dhe të konsumit të saj në këtë institucion arsimor”, – tha Leli.
Kryebashkiaku Leli u shpreh se “do jetë një nga krenaritë e radhës të investimeve publike të realizuara nga bashkia e Vlorës në rikonstruksionin e shkollave”.//atsh