Kryeministri Edi Rama theksoi sot se, “nuk duam që procesi i rindërtimit të bëhet në kurriz të së ardhmes të të gjithë qytetarëve dhe të fëmijëve të këtij vendi”.
Në takimin e fundvitit me ambasadorët dhe trupën diplomatike të akredituar në Tiranë, Rama u shpreh se, për këtë arsye, ne nuk kemi parashikuar asnjë taksë të re. Nuk kemi parashikuar asnjë ndërprerje të investimeve madhore. Dhe nuk kemi parashikuar as rritje të borxhit. As buxheti i mbrojtjes nuk do të preket, sepse si anëtar i NATO-s kemi marrë një angazhim dhe qeveria jonë nuk i ikën asnjë angazhimi, sado të madh ta ketë justifikimin, dhe aq më tepër ne nuk mund që me justifikimin e madh të nevojës për të financuar rindërtimin, t’i bëjmë bisht në atë tryezë ku kemi nderin e madh të jemi së bashku me të gjitha vendet anëtare të NATO-s, angazhimit të përbashkët të secilit vend”.
“Këto vite kemi bërë shumë për të vendosur ekonominë dhe financat e vendit në një themel të qëndrueshëm, dhe nuk mund ta prekim këtë themel. Ashtu sikundër kemi bërë shumë për të përgatitur hapat e mëpasshëm për zhvillimin e qëndrueshëm dhe nuk mund t’i ndalim këto hapa. Natyrisht jam krenar që, pavarësisht përmasave të jashtëzakonshme të kësaj katastrofe, dhe lëkundjes shumë të fortë prej saj të të gjithë ngrehinës së shoqërisë dhe të shtetit, ne e kemi përballuar momentin e parë me plot dinjitet”, – tha Rama.
“Jo pak ndër ju, janë dëshmitarët në vendet e tyre, të efektit që ka një tërmet apo një katastrofë natyrore mbi shoqërinë dhe mbi shtetin dhe qeverisjen, dhe besoj se ju ndani mendimin me mua se Shqipëria duke arritur që të sistemojë të pastrehët në kohë rekord në hotele me kushte optimale mikpritjeje dhe shërbimi, në shtëpi me qira, që shpesh janë më të mira sesa shtëpitë që të prekurit kanë humbur, meriton sigurisht respekt”, – tha Rama./atsh